Dy të plagosur në konfliktet për pronën
Dy konflikte për pronën kanë përfunduar me dy persona të plagosur në rrethin e Elbasanit. Ngjarja e parë, sipas burimeve zyrtare të policisë, ka ndodhur rreth orës 22.30 të natës së mbrëmshme në fshatin Labinot-Fushë, rreth 7 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Menjëherë në vendngjarje u dërguan shërbimet policore, ku është konstatuar se Shaqir Balla, 50 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të trupit shtetasin Xh.C., 48 vjeç, banues në këtë fshat. Sipas policisë, në të njëjtën datë dhe orë, në fshatin Qukës të rrethit Librazhd, gjatë një konflikti për motive të dobëta, Nazmi Alliu, 52 vjeç, banues në këtë fshat ka goditur me thikë bashkëfshatarin Xh.M., 53 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në trup. Në të dyja rastet konfirmohet se motivet e konflikteve kanë qenë çështje të pazgjidhura të pronësisë.
#