E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet ura e ndërtuar 10 ditë më parë

Mat

Banorët e një fshati në rrethin e Matit nuk kanë mundur t’i gëzohen ndërtimit të një ure që më në fund do t’i lidhte me rrugën nacionale. Vetëm dhjetë ditë nga ndërtimi i saj, ura është shembur, duke u këputur në mesin e saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mishter të Komunës Gurrë, ku para dhjetë ditëve përfundoi së ndërtuari ura që lidhte këtë fshat me rrugën nacionale. Pas kërkesave të përsëritura ndër vite të banorëve të këtij fshati, më në fund u mundësua ndërtimi i një ure tip “Beli” nga Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Komunën Gurrë. Ura, nga më të mëdhatë e këtij lloji e ndërtuar në verilindjen e vendit, gjatësia e së cilës shkon në 52 metra, krejt papritur është shembur, duke u këputur në mesin e saj. Shkaku duket se ka qenë cilësia e dobët e realizimit të punimeve, pasi ajo nuk ka mundur të mbajë peshën, si pasojë e gjatësisë së madhe. Ndërkohë rreth 500 banorë të fshatit Mishter do të mbeten sërish të izoluar nga pjesa tjetër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›