E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushte në radhët e aplikimeve për pasaporta

Policia e Vlorës detyrohet të ndërhyjë. Reagon Ministria e Brendshme: Pasaportat, së shpejti edhe në konsullata

Tension në radhët e aplikimit për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike në qytetin e Vlorës. Ardhja e emigrantëve pranë familjeve të tyre për pushime ka risjellë pritjet e gjata pranë sporteleve të zyrave të firmës “Aleat”. Dje nuk ka munguar tensioni deri edhe përplasja fizike midis aplikantëve, që kishin zënë radhën qysh në orën 04.00 të mëngjesit. Emigrantët dhe qytetarë të ndryshëm kanë qëndruar për orë të tëra në radhë dhe disa prej tyre kishin edhe fëmijët me vete. Disa herë situata ka qenë e tensionuar dhe në një moment ka arritur deri në përleshje me grushte. është dashur ndërhyrja e policisë së rendit disa herë për të normalizuar situatën. Emigrantët janë shprehur të pakënaqur me shërbimin e zyrës së aplikimeve, pasi, sipas tyre, nuk punohet shpejt. Ndërkaq, ata kanë kërkuar shtimin e numrit të sporteleve me punonjës në rast fluksi, sidomos në këtë periudhë kur shtohet edhe numri i emigrantëve që aplikojnë për dokumentet e reja. “Na kaluan pushimet nëpër radha. Shteti duhet të marrë masa për t’iu përgjigjur qytetarëve të tij dhe emigrantëve në kohën e duhur”, janë shprehur të indinjuar aplikantët. Mësohet se disa prej tyre kishin tri ditë që kishin zënë radhë dhe ende s’kishin kryer aplikimin për kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike. “Duhet të kryejmë aplikimet para se të kthehemi në Itali, sepse na duhet të udhëtojmë përsëri për në Shqipëri për të kryer aplikimet. Duhet të lëmë punën dhe shpenzojmë sërish për të mos gjetur radhë për aplikimet, sepse shteti nuk vendos shtesa në punonjës dhe sportelet e zyrave të aplikimit”, janë ankuar aplikantët.

Situata e krijuar ditët e fundit në Vlorë dhe në qytete të tjera të vendit ka bërë dje që të reagojë edhe Ministria e Brendshme. Zv.ministri Ferdinand Poni u bëri thirrje emigrantëve që kthehen për pushime, të mos mundohen nëpër radha, pasi do të kenë mundësi të aplikojnë për pasaporta e karta identiteti edhe në vendet ku jetojnë e punojnë. Poni tha se është negociuar me kompaninë koncesionare dhe Ministrinë e Jashtme që për tre muaj emigrantët të mund të aplikojnë për pasaportat e reja biometrike në konsullatat shqiptare në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Poni ka sqaruar se kjo lëvizje po bëhet për të shmangur radhët e gjata të emigrantëve në sezonin e pushimeve verore. Ai sqaroi gjithashtu se pasaportat e vjetra nuk dalin jashtë përdorimit në momentin e aplikimit për pasaportë të re: “Pasaporta e vjetër nuk del e papërdorshme në momentin e aplikimit, por në momentin që prodhohet e re”, ka sqaruar Poni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›