Kundërshtuan dhe fyen policinë, arrestohen dy vëllezërit
Kundërshtuan kontrollin policor, bien në pranga dy vëllezër në Kavajë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë thanë për gazetën “Shqip” se dy personat e arrestuar në flagrancë janë Adem dhe Ervin Dakoli, përkatësisht 42 dhe 31 vjeç. Sipas policisë, prangosja e dy vëllezërve u bë për shkak se të dielën, rreth orës 17:20, në mjediset e një hoteli në pronësi të tyre, në fshatin Harizaj të Kavajës, kanë fyer dhe kundërshtuar punonjësit e policisë, të cilët ishin në krye të detyrës. Policia e Kavajës njoftoi se ndodhej në atë hotel për të ushtruar kontroll, për gjetjen e shtetases Sidorel Ozuni, për të cilën familjarët e saj kishin depozituar një kallëzim për rrëmbim personi. Vëllezërit Dakoli jo vetëm që kanë refuzuar bashkëpunimin me policinë, por edhe u janë kundërvënë atyre, duke i fyer në krye të detyrës. Ndaj dy vëllezërve është ngritur padia penale e kundërshtimit dhe fyerjes së policëve për shkak të detyrës, ndërsa dokumentacioni hetimor i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.
#