E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni Weekend, Policia e Durrësit arreston tre për armëmbajtje

Sezoni Shtohen kontrollet në rrugë për të garantuar sigurinë e pushuesve të shumtë

“Weekend” shtrëngon prangat në duart e tre personave që lëviznin të armatosur, duke përbërë rrezik social në këtë sezon turistik. Përpjekjet e policisë për të parandaluar në kohë veprat penale kundër personit, veçanërisht gjatë fundjavave, kur numri i pushuesve në bregdet rrit ndjeshëm qarkullimin, konfliktet dhe pasigurinë ka bërë që këtë fundjavë të kapen në flagrancë tre persona, të cilët mbanin me vete armë e municione luftarake.

Operacioni “Weekend”, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Durrësit, çoi në pranga 31-vjeçarin Shefqet Bala nga Durrësi, i cili është kapur me një pistoletë të fshehur nën ndenjësen e taksisë, me të cilën po udhëtonte. Bala u arrestua rreth orës 04.00 të një dite më parë, ndërsa u kap afër mesnatës në segmentin rrugor Plepa-Durrës gjatë një kontrolli që shërbimet e policisë ushtruan në automjetin me targa DR9731E. Nga hetimet rezultoi se mjeti ishte marrë si taksi nga 31-vjeçari. Poshtë ndenjëses së pasagjerit ku Bala ishte ulur, është gjetur një pistoletë 9 mm e markës “Zastava”, si dhe një krehër me 4 fishekë, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkaq, dy arrestimet e tjera janë bërë në pjesë të tjera të rrethit bregdetar. Arrestimi në flagrancë i shtetasit Emilian Guza, 20 vjeç, me banim në Shijak, u bë pasi në fshatin Pjezë të Shijakut, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Opel” me targa LU 678585, në të cilin Guza udhëtonte së bashku me një 21-vjeçar nga Katër Rrugët e Shijakut, u gjet e u sekuestrua një pistoletë tip “Zastava Mini Blow” pa fishekë, të cilën e mbante pa leje. I arrestuari i radhës në këtë operacion të fundjavës ka qenë Perikli Kushi nga Sukthi, të cilit gjithashtu iu gjet një pistoletë e markës “CZ” e kalibrit 7.65 mm dhe një krehër me 7 fishekë të të njëjtit kalibër, të cilat i mbante pa leje. Ndaj të treve është ngritur akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. “Një armë është gjithnjë një burim i mundshëm krimi dhe prandaj kontrollet e vazhdueshme synojnë t’i parandalojnë në kohë krimet e mundshme që mund të ndodhin në gjaknxehtësi e sipër a për motive të tjera”, thonë burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, ndërsa kontrollet në rrugë dhe ambientet më të frekuentuara nga qytetarët dhe pushuesit do të vazhdojnë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›