Ylli Kambo kërkon liri të parakohshme
KËRKESA
Ish- bosi i "Kambo Marshall" i dënuar për mashtrim, depozitoi kërkesën në gjykatë
TIRANË- Ish-presidenti i firmës piramidale "Kambo Marshall", Ylli Kambo, i dënuari për mashtrim, nëpërmjet një kërkesë padie drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë kërkon lirimin e tij me kusht, për t'i shpëtuar ditëve të mbetura të burgut.
Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës, ku i dënuari Kambo me anë të kërkesë padisë me nr. 981 i është drejtuar togave të zeza për lirimin me kusht, duke kërkuar t'i falen muajt e mbetura të burgut të dhënë nga dy vendimet e dënimit ndaj tij në vitet 1998 dhe 2001.
Një kopje të kësaj kërkese, i dënuari Kambo i ka drejtuar edhe zyrës së Shërbimit të Provës që drejtohet nga i pandehuri Arben Sefgjini.
Një kërkesë të tillë, i dënuari Kambo ka depozituar edhe vitin e kaluar, konkretisht në fund të muajt shkurt, ku pas shqyrtimit të saj më datë 16 prill 2008 Gjykata ka vendosur mos pranimin e kërkesës për lirim.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, atëherë kur i kanë mbetur edhe rreth 12 muaj burg, i dënuari Kambo kërkon faljen e ditëve të mbetura.
Kjo kërkesë, pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Sokol Tona, i caktuar ky me anë të shortit elektronik të hedhur nga kryesekretaria e gjykatës.
57-vjeçari Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003, në Rumani, pasi ndaj tij Interpol Tirana kishte lëshuar urdhër ndërkombëtar për kërkim. Një vit më pas, ai u ekstradua në Tiranë për të vuajtur dënimin.
Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit". Pas apelimit të këtij vendimi, Gjykata e Apelit vendos përfundimisht dënimin e tij me 7 vjet heqje lirie.