Dy të prangosur për vjedhjen e fabrikës së këpucëve
DURRËS – Dy të rinj kanë vjedhur disa palë këpucë në një fabrikë, por më pas kanë përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 19 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Gëzim Shtyma dhe D. K. Të dy 18-vjeçarët, të cilët kanë lindur në Berat dhe banojnë në fshatin Sukth. Sipas tyre, prangosja e dy adoleshentëve u bë pasi dy ditë më parë rreth orës 12.00 janë kapur në flagrancë duke vjedhur këpucë në vendin e tyre të punës në Fabrikën e Përpunimit të Lëkurëve “Filanto” në Shijak. Ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale të vjedhjes, për të cilën materialet i kaluan prokurorisë së rrethit.
Fadromat nisin shembjet në Gjirin e Lalzit, prishen 7 objekte
DURRËS – Me mbarimin e sezonit turistik, Inspektorati Ndërtimor Kombëtar ka nisur operacionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Gjirit të Lalzit, e lakmuar për investime nga turistët e huaj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se forcat e rendit mbështetën Inspektoriatin për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në Gjirin e Lalëzit, Hidrovor dhe zonën e Hamallajt. Në këtë aksion, i cili filloi në orën 10.45 të ditës së mërkurë dhe mbaroi në orën 13.30, u angazhuan 7 punonjës policie dhe 1 automjet. “Gjatë kësaj ndërhyrje u prishën 7 objekte, kryesisht kioska ambulante dhe gjatë aksionit nuk pati probleme të rendit”, - pohojnë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit.
24 Tetor 2008