E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesjavë e përgjakshme nëpër rrugë, 2 të vdekur dhe 4 të plagosur



Edhe dy ditët e fundit kanë regjistruar bilance të frikshme në rrugët e vendit tonë. Burimet policore në disa rrethe raportojnë për të paktën 2 të vdekur dhe 4 të plagosur. Sipas tyre, ngjarjet kanë ndodhur në rrethet e Vlorës, Korçës dhe Lezhës. Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se një i ri 24- vjeçar ka gjetur vdekjen dje në orët e para të ditës. Ai ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi pranë sheshit Omonia në Vlorë, kur është përplasur me bordurën e rrugës. Në makinën tip Volvo me targa Vl 5522 B po udhëtonin edhe dy adoleshentë të tjerë, përkatësisht 19 dhe 17 vjeç. Ata janë plagosur por nuk kanë rrezik për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 02.00 të ditës së enjte në lagjen “28 Nëntori”. Tre të rinjtë po udhëtonin me makinë pranë sheshit, teksa kanë kaluar në rrugën e boshatisur shoferi ka shtuar shpejtësinë. Për pasojë mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një bordurë. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e mjetit 24- vjeçarin, Asim Duro. Ndërsa dy shokët e tij që ishin pasagjerë janë jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe verifikimin e dokumentacionit të mjetit.
Aksident me motor, plagosen dy persona
Dy të plagosur
Një aksident me pasojë plagosjen e dy qytetarëve ka ndodhur ditën e mërkurë pasdite. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se shtetasi Krenar Qato, 19 vjeç, lindur dhe banues në Korçë duke drejtuar motorin e tij ka aksidentuar, Zhani Bletën e 51 vjeçe, dhe kjo lindur e banuese në Korçë. Të dy këta persona kanë pasur dëmtime trupore dhe pasi janë çuar në spitalin civil të Korçës janë jashtë rrezikut për jetën. Nga policia janë kryer veprimet e para procedurale për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës.
Arrestime në Lezhë
Policia e Lezhës ka prangosur dy persona në lidhje me vdekjen aksidentale të një shtetasi në kryqëzimin e rrugës në Ishull Lezhë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Dritan Delia, 24 vjeç dhe Fredi prenga, 35 vjeç, pasi akuzohen për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Arrestimi i tyre u bë, pasi dy ditë më parë, rreth orës 18.00, në superstradën Milot- Lezhë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Rrugës në Ishull - Lezhë, një mjet tip Benz, me targa LE 75 58A, me drejtues shtetasin Dritan Delia, duke udhëtuar në drejtimin Milot- Lezhë, ka përplasur një motorçikletë pa targa, të drejtuar nga shtetasi Ndue Luca, i cili ka tentuar të kalojë rrugën. Sipas tyre, “në këto momente mjeti pas përplasjes me makinën tip benz në krahun e majtë të tij, nga goditja viktima është spostuar në krahun tjetër të superstradës, ku në këto momente po udhëtonte një mjet tjetër tip autobus 25 vendesh, me targa LE 7238A, me drejtues shtetasin Fredi Prenga. Ky i fundit e ka marrë viktimën së bashku me mjetin e tij motoçikletë në një distancë rreth 15 metra dhe kur autobusi është ndaluar viktima ka qenë poshtë gomave të pasme të krahut të djathtë të shoferit të autobusit. Viktima, Ndue Luca, 70 vjeç, banues në Ishull Lezhë, është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës dhe më pas trupi i pajetë është dërguar tek familjarët e tij, për tu përcjellë më pas për në banesën e fundit.

I jep fund jetës pas disa tentativave 30-vjeçari për shkaqe ekonomike

SHKODËR - Ka tentuar të mbysë veten me hape, por nuk ka mundur. Më pas është varur në litar. Ngjarja tragjike ka ndodhur sot në lagjen Sherë të qytetit të Shkodrës. Në orët e para të mëngjesit familjarët kanë gjetur në varur, 30-vjeçarin Astrit Hoxha.
Arsyeja e vetëvrasjes mbetet enigmë, ndërsa dyshohet se një nga shkaqet mund të kenë qenë vështirësia ekonomike. Por as kjo hipotezë nuk qëndron fort, pasi atij i kishte dalë viza për Itali dhe mund të nisej nëse nuk do të kishte kryer aktin e tmerrshëm.
I ati i Astritit, i ka thënë policisë se “mora taksi për ta përcjellë djalin në Durrës, pasi i kishte dalë viza dhe kishte prerë edhe biletën, por e kam gjetur të vdekur”. Astriti ka lënë bashkëshorten me dy fëmijë ende të vegjël, teksa i ka dhënë fund jetës së tij.
Bashkëshortja pohon se ai ka qenë i mërzitur për shkak të papunësisë. Sipas dëshmive të saj, por edhe sipas këqyrjes së vendngjarjes nga policia, Astriti është varur në shkallët e shtëpisë së tij dykatëshe në lagjen Sherë në afërsi të qendrës së Shkodrës. Nëpër shkallë janë gjetur edhe tableta me ilaçe ç’ka të çojnë në dyshimin se ai ka pirë fillimisht hape, më pas është vetëvarur.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›