Dy të vdekur e dy të plagosur në Krastë të Martaneshit
BULQIZË Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë dje pas një aksidenti automobilistik. Ngjarja, sipas policisë lokale, ka ndodhur në segmentin rrugor Thekën-Krastë, mbi lagjen ‘Leti’ të Martaneshit. Mjeti i drejtuar nga 48-vjeçari Behar Kenga ka devijuar rrugën dhe ka rënë të paktën 100 metra në greminë, duke shkaktuar vdekjen e shoferit, 27-vjeçarit Dashnor Cani si dhe plagosjen e 71-vjeçarit Hajdar Saliu e 53-vjeçarit Halim Gjoka. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.30, por është mësuar disa minuta me vonës, atëherë kur banorë të fshatit kanë dhënë alarmin për aksidentin e ndodhur. Fillimisht në vendin e ngjarjes kanë mbërritur punonjësit e postës së policisë të Martaneshit e më vonë edhe banorë të Krastës. Pasi kanë zbritur në greminë janë përpjekur t’u vijnë në ndihmë të aksidentuarve, mirëpo që në fillim është konstatuar vdekja e Behar Kengës dhe Dashnor Canit. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes pohuan se ata kishin pësuar dëmtime serioze në kokë dhe pjesë të tjera të trupit dhe kishin humbur shumë gjak. Në gjendje kritike për jetën është gjetur edhe Halim Gjoka. Pasi është transportuar deri në qendrën shëndetësore të Krastës është transportuar me helikopter në drejtim të Spitalit Ushtarak. Në gjendje pak më të mirë është transportuar drejt spitalit të Bulqizës 71-vjeçari Hajdar Saliu. Mësohet se të katër këta persona po udhëtonin nga Thekna, sektori minerar ku punonin, drejt qytetit të Krastës, ku ata banonin. Megjithëse në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të qarkullimit rrugor dhe grupi hetimor, ende nuk janë zbuluar shkaqet e aksidentit të rëndë. Ngjarje të tilla në rrugët e Martaneshit janë të shumta, për shkak të gjendjes së saj dhe terrenit tejet të thyer.
P. HASA