Sherri në familje, burri plagos gruan dhe më pas edhe veten
Kolë Makaj, 57 vjeç, pas një grindjeje me bashkëshorten File, e ka qëlluar me pistoletë. Aktualisht të dy bashkëshortët ndodhen në spitalin e Shkodrës dhe janë në gjendje të rëndë për jetën
SHKODËR Grindja në familje ka sjellë plagosjen e dy bashkëshortëve në Koplik të Malësisë së Madhe. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.45 në lagjen ‘Pikzë’ të Koplikut , brenda në banesën e Kolë Makajt 57 vjeç. Një grindje mes kryefamiljarit dhe gruas së tij Files ka bërë që bashkëshorti të qëllojë me pistoletë gruan dhe më pas veten. Motivi i grindjes mësohet se ka qenë një konflikt brenda familjes, i cili nuk është zbardhur akoma, pasi në momentin e ngjarjes në banesë ka qenë vetëm çifti Makaj dhe asnjeri tjetër. Ata jetojnë në një shtëpi private, rreth 500m larg rrugës nacionale dhe fëmijët mësohet se i kanë në emigracion. Të shtënat janë dëgjuar nga fqinjët të cilët kanë shkuar menjëherë dhe në një prej dhomave të banesë kanë gjetur të gjakosur Filen dhe disa metra më tek Kolën me pistoletë në dorë. Ata u kanë dhënë ndihmën e pare dhe kanë lajmëruar policinë. Sipas të dhënave paraprake, mendohet se Kolë Makaj ka qëlluar gruan e më pas veten, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes , dëshmitarë të së cilës kanë qenë vetëm dy të dëmtuarit. Nga burime të spitalit të Shkodrës, mësohet se gjendje e dy të plagosurve është e rëndë dhe në këto kushte dhe policia e ka të pamundur të marrë ndonjë deklarim prej tyre. Të njohur të familjes Makaj , e cila nuk është nga Kopliku por ka disa vite që jeton aty, shprehen se nuk dinë që dy bashkëshortët të kenë patur konflikte të rënda, përveç zënkave të thjeshta që ndodhin .Krimi brenda familjes ka shënuar 6 viktima vitin e kaluar në qarkun e Shkodrës, ku katër kanë qenë gra që janë vrarë nga bashkëshorti dhe babai. Kështu në korrik të vitit të kaluar Shkodër, Pjetër Pjolli, 48 vjeç, banues në fshatin Samrisht, ka vrarë me armë zjarri pistoletë bashkëshorten e tij Nine Rrjolli, 46 vjeçe dhe vajzën e tij Kristina Rrjolli 18 vjeçe, thanë burimet zyrtare të policisë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe një grup hetimor me në krye prokurorin e rrethit. Nga hetimet u mësua se ngjarja ka ndodhur brenda në banesën e familjes Rrjolli, pas një konflikti për motive të dobëta. Për pasojë dyshohet se autori gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të rënduar depresioni dhe pasi ka bërë vrasjen e dyfishtë në familjen e tij, ka njoftuar vetë policinë për të deklaruar krimin e kryer.
Djana Kolaj