E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja te “Komuna e Parisit”, burg autorit

Arbër Ristani mohon akuzën para gjykatës, por kamerat e televizioneve filmuan 21-vjeçarin gjatë plagosjes

Tiranë Gjykata e Tiranës la dje në qeli Arbër Ristanin, i akuzuar për plagosjen e një 16-vjeçari të njohur si simpatizant i Partisë Socialiste. Para gjykatës, 21-vjeçari nuk e ka pranuar akuzën, por prokuroria pretendoi se momenti i plagosjes është filmuar nga kamerat e televizioneve, çka provon se është ai autori i plagosjes së rëndë. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj 21-vjeçarit Arbër Ristani, përfaqësuesi i akuzës nuk ka dhënë asnjë motiv lidhur me ngjarjen e 12 prillit, ku mbeti i plagosur 16-vjeçari, Ali Doçi. Nga hetimi paraprak i policisë dhe prokurorisë nuk rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive politike, edhe pse deputetë të PS-së, menjëherë pas plagosjes, akuzuan aktivistë të LSI-së si autorë të sulmit. Sipas prokurorisë, autori dhe i plagosuri kanë pasur një konflikt të çastit, që pas sharjeve ka degjeneruar në përdorimin e thikës nga ana e 21-vjeçarit Ristani, i cili ka goditur 4 herë Ali Doçin. Kjo skenë është filmuar nga kamerat e një televizioni që ndodhej në vendin e ngjarjes, pasi pak momente pas ngjarjes, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama do të zhvillonte një takim me banorët e njësisë nr. 5 në kryeqytet. Pamjet filmike kanë qenë një nga provat më të forta të prokurorisë, të cilat tregojnë se autori i plagosjes së 16-vjeçarit Ali Doçi është Ristani. Kjo provë, por edhe argumentet e prokurorisë, ishin të mjaftueshme për gjykatën e cila caktoi masën “arrest me burg” ndaj 21-vjeçarit Ristani, i cili akuzohet për plagosje të rëndë me dashje. Fillimisht, arrestimi i tij u kundërshtua nga deputetë të Partisë Socialiste, të cilët thanë se personi i arrestuar nuk është autori i krimit, pasi ai njihet si sipmatizant i PS-së, por njëherësh është edhe mik me të dëmtuarin dhe familjen e tij. Ndërsa lidhur me të plagosurin, deputetët e PS-së thanë se ai u qëllua nga aktivistë të LSI-së, teksa

ndodhej së bashku me xhaxhanë e tij, duke shoqëruar kreun e PS-së në takimin e datës 12 prill me simpatizantë të kësaj partie, në zonën e Komunës së Parisit. Për këtë ngjarje, policia tha se plagosja ka ardhur pas një sherri banal mes të dëmtuarit dhe disa bashkëmoshatarëve të tij, duke mohuar në mënyrë kategorike motivet elektorale apo politike. Pas caktimit të masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj 21-vjeçarit Arbër Ristani, prokuroria tha se gjatë hetimit të mëtejshëm do të zbardhen edhe motivet e ngjarjes, që për pak i rrezikuan jetën 16-vjeçarit Ali Doçi. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›