E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Magjistraturës përcakton dokumentet dhe tarifën për konkursin



Laureta Rryçi
Shkolla e Magjistraturës përcakton dokumentet dhe tarifën që duhet të paguajë secili kandidat që regjistrohet për konkursin e sivjetshëm për magjistrat. Sipas të dhënave zyrtare nga kjo shkollë thuhet se tarifa që duhet të paguhet në bankë nuk kthehet më për ata kandidatë që nuk paraqiten ditën e konkursit. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm deklaratën që duhet të nënshkruhet nga kandidatët para se të futen në konkursi dhe si do të bëhet vlerësimi në pikë për testin. Kandidatët duhet të kenë parasysh disa rregulla të cilat i shpallin fitues për konkursin e Magjistraturës.
Procedurat
Tërheqja e programit ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin bëhet pranë sekretarisë mësimore të Shkollës. Në bazë të Ligjit Nr.9414 datë 20.05.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.8136 datë 31.07.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”, konkursi do të zhvillohet vetëm në një ditë dhe me shkrim. Për të testuar jo vetëm njohuritë me karakter profesional, por edhe ato të kulturës së përgjithshme dhe të inteligjencës e të mënyrës së të shkruarit, teza do të përmbajë pyetje përshkruese, ese, çështje të etikës, komunikimit dhe sjelljes qytetare, teste të zakonshme inteligjence, si dhe raste praktike. Fitues shpallen kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të pikëve në rend zbritës, por jo më pak se 60 % të totalit të pikëve maksimale deri në plotësimin e numrit fitues të përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të Vendimit nr.11 datë 02.07.2010, të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
Vlerësimi
Teza e provimit vlerësohet maksimalisht me 450 pikë. Me 100 pikë vlerësohet teza e provimit të formimit të përgjithshëm intelektual nga të cilat me 50 pikë vlerësohet testi i Inteligjencës dhe me 50 pikë vlerësohet Esse-ja. Me 350 pikë vlerësohet Testi Profesional nga të cilat; me 250 pikë vlerësohet pjesa teorike të cilat ndahen; 50 pikë për pjesën teorike të së drejtës civile, të drejtës penale, procedurës civile dhe procedurës penale dhe me 50 pikë vlerësohet pjesa teorike e degëve të tjera të së drejtës si; e drejta kushtetuese, e drejta administrative. Pjesa e rasteve praktike vlerësohet me 100 pikë, nga 50 pikë për secilin rast praktik.
Kriteret
Kriteret e pranimit të kandidatëve për regjistrim janë: diplomimi si jurist me program katër ose pesë vjeçar, me diplomë DIND ose ekuivalente me të, nota mesatare mbi 8, gjendja e pastër gjyqësore, raport mjekësor i aftësive shëndetësore, etj. Mbas regjistrimit të kryer nga kandidatët, Shkolla administron provimin në ambientet e Pallatit të Kongreseve duke ndjekur një
procedurë testimi shumë transparente, serioze dhe anonime. Kjo mund të shihet edhe nga vetë procedura e realizimit dhe administrimit konkret të testit. Shkolla para futjes së kandidatëve në sallë realizon një identifikim të dyfishtë të dokumenteve të identifikimit të kandidatëve (tek hyrja për
në sallën e provimit dhe më pas në vendet e tyre ku janë ulur kandidatët). Sigurimi i Anonimatit. Mbas sistemimit të kandidatëve nëpër vendet e tyre përkatëse, shpërndahen dy zarfe, një zarf të madh dhe një zarf të vogël. Zarfi i madh mban fletët
ku do të zhvillohet provimi, rregulloren e provimit dhe një stilolaps. Zarfi i vogël mban një fletë të bardhë, tek e cila do të shkruhet me germa kapitale emri i kandidatit. Mbasi kandidati shkruan emrin, e palos fletën dhe mbyll zarfin, i cili vuloset në vend nga sekretaria e Shkollës dhe mbahet në tavolinë.
Formimi i tezës
Shkolla e Magjistraturës ka një fond prej gati 600 pyetjesh/tezash, të cilat futen në 10 zarfe. Për shembull, 100 ese në një zarf, 50 teste inteligjence në një zarf, 100 kazuse civile në një zarf, 100 kazuse penale në një zarf etj. Ditën e provimit për çdo zarf, që përmban tezat e një fushe, zgjidhen pyetjet e provimit në mënyrë rastësore nga kandidatët në sallë që dalin vullnetarisht për të tërhequr një tezë. Pyetjet lexohen
publikisht para kandidatëve, të cilët i mbajnë shënim në bllokun e madh. Testi i inteligjencës dhe kazuset fotokopjohen për të gjithë kandidatët pasi u janë dhënë dhe shënuar nga kandidatët referencat e vendimit gjyqësor nga është marrë kazusi praktik,
etj. Monitorimi dhe Survejimi i kandidatëve gjatë provimit bëhet nga një ekip miks të përbërë nga monitorues të huaj dhe vendas, jo juristë. Në vite në këtë proces kanë asistuar përfaqësues nga Këshilli i Evropës, OSBE, Pameca, Euralius, GTZ, etj.

Kriteret për pranim në shkollën e Magjistraturës
Kandidati duhet të plotësojë këto kushte:
1. Të jetë diplomuar “Jurist” në një nga Fakultetet e Drejtësisë, Publike apo jo publike të akredituara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, brenda apo jashtë vendit; me programin minimal katër vjeçar ose pesë vjeçar, me diplomë DIND ose ekuivalente me të.
2. Të ketë notë mesatare mbi 8 (tetë).
3. Të mos jetë i dënuar.

Kandidati, për regjistrim, duhet të paraqesë këto dokumente:
1. Dokumentin e ekuivalentimit të diplomës në rast se ka mbaruar studimet jashtë.
2. Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe certifikatës së notave.
3. Rekomandim zyrtar nga vendi i punës ku ka punuar, (në rast se ka punuar).
4. Kopje të noterizuar të vendimit të akreditimit të Fakultetit të Drejtësisë, nëse është diplomuar në një nga Fakultetet e Drejtësisë jo publike brenda vendit.
5. Dëshmi penaliteti.
6. Raport mjeko-ligjor.
7. Kopje të noterizuar të kartës së identitetit.
8. Një certifikatë familjare.
9. 2 fotografi
10. Të dhëna personale (CV).
11. Mandat pagese për regjistrimin në vlerën 5000 lekë në Bankën Raiffeisen Bank, në llogarinë me Nr. 0104030780; IBAN : AL 22202110130000000104030780 adresa: Dega e Thesarit Tiranë, Shkolla e Magjistraturës.

DREJTORIA
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
SHKOLLA E MAGJISTRATURËS
DEKLARATË PËR
PROVIMIN E PRANIMIT NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS

Ditën _______ Shtator _______, ora _______, a.m

Kohëzgjatja e provimit: ________
Shkruani vetëm në njërën anë të fletës.
Filloni çdo pyetje në një fletë të veçantë.
Ju lutemi pasi të keni lexuar pikën 1, 2 dhe 3 , deklaratën si dhe procedurën e provimit, nënshkruajeni dhe dorëzoni fletën para se të largoheni.
Emri Mbiemri __________________
(me shkronja kapitale)
Deklaratë: “ Deklaroj se i kam lexuar rregullat e provimit, i kuptoj plotësisht ato dhe nuk kam dhënë apo marrë ndihmë gjatë provimit”.
FIRMA______________________

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›