PS: Shkurtimet në buxhet thellojnë krizën ekonomike
TIRANË – Ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 do të thellojnë edhe më tej krizën ekonomike, pasi rrisin varfërinë, shtojnë papunësinë dhe bllokojnë zhvillimin e biznesit. Ky ka qenë reagimi i selisë rozë një ditë pas miratimit të projektligjit për ndryshimin e buxhetit në Kuvend. Deputetja socialiste, Rudina Seseri kritikoi politikat e qeverisë për shkurtimet në Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas saj, “ky është një nivel mediokër menaxhimi financash publike, që shpenzon paratë pa kufi, nuk nxjerr të ardhura dhe lë shteg për abuzime gjigante”. Ajo theksoi se treguesit e biznesit, punësimit dhe familjet e varfra do të jenë akoma më keq.
Akuzat
Socialistët paralajmërojnë se ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 do të rrisin papunësinë, do të shtojnë varfërinë në fshat dhe do të frenojnë zhvillimin e biznesit. Ekspertja e problemeve ekonomike dhe deputete e PS-së, Rudina Seseri ka komentuar dje paketën e buxhetit që u votua në Kuvend ditën e hënë. “Shkurtimi i shpenzimeve godet rëndë investimet publike dhe punësimin sepse është bërë në mënyrë joprofesionale, pa metoda optimizimi, gjë që do të japë efektin e kundërt në ekonomi”, - tha Seseri. Sipas saj, “thelbi i problemit është se qeveria asnjëherë nuk ka ditur të bëjë dallim midis shpenzimit dhe investimit, duke venë shenjën e barazimit mes tyre”
“Shkurtime në buxhet janë bërë pa asnjë analizë të realizimit të investimeve nga Ministritë: Është e pafalshme që, në 6-mujorin e parë, Ministria e Bujqësisë realizoi vetëm 6% të investimeve: Ministria e Arsimit, vetëm 7% dhe Ministria e Shëndetësisë, vetëm 19%”, - u shpreh deputetja e PS-së. Ajo theksoi se ndëshkimi i këtyre tri ministrive do të sjellë goditje të rëndë fshatin, sjell hapa mbrapa në zhvillimin e arsimit dhe përkeqëson shërbimin shëndetësor”.
“Ministri i Piramidave, përgjegjësi kryesor i mosbalancimit të buxhetit, vazhdon të fshehë të vërtetën me deklarata si te kongreseve të partisë, kur flitej për bollëk të madh prodhimesh bujqësore, kur njerëzit nuk kishin bukë”, - tha Seseri. Sipas saj, “ky buxhet do të ngadalësojë më tej ekonominë dhe do të varfërojë shqiptarët”.
Grushtet
Ditën e hënë, teksa po kalonte në votim nen për nen projektligji për buxhetin e vitit 2010, i ndryshuar, deputetët e Kuvendit u përfshin në përplasje fizike. Opozita akuzoi mazhorancën se e kaloi në procedurë, pa marrë në konsideratë, mendimin e saj. Pak më vonë doli në një konferencë kreu socialist, i cili e konsideroi këtë veprim si një dhunim të së drejtës së opozitës për të diskutuar draft-buxhetin në të gjitha nenet e tij. Ai tha se vendi është në krizë politike dhe ekonomike.
Buxheti i vitit 2010 parashikon shkurtime drastike në nivelin e shpenzimeve buxhetore, në mbledhjen e të ardhurave dhe në investimet publike.
BOX 1
Ministria e Financave: Rama të vijë të marrë të dhënat e ekonomisë
Menjëherë pas akuzave që lëshoi deputetja socialiste, Rudina Seseri, reagoi Ministria e Financave zyrtarisht, e cila ka ftuar kryetarin e PS-së që të vijë e të marrë të dhënat për ekonominë e vendit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Anisa Serbo u shpreh se “kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Kristaq Rama, u fryu sërish sirenave të krizës ekonomike. Kësaj radhe, jo me gojën e zonjës Berberi, por me vajet e zonjës Seseri”. Sipas deklaratës së bërë dje, thuhet se “ky qëndrim i zotit Rama dëshmon më së miri tronditjen e tij të thellë politike, shpirtërore dhe psikologjike, për shkak të rritjes së rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, gjë të cilën zoti Rama e cilësoi një veprim kriminal”. Ministria e Financave ka bërë krahasime të treguesve të të ardhurave në kohën kur qeveria drejtohej nga socialistët. “Zoti Rama është zhytur në zi dhe në krizë të pashpresë, sepse këto 6 muaj nga tatimet dhe doganat u mblodhën 104 miliardë lek nga vetëm 50 miliardë, që u mblodhën në të njëjtën periudhë të vitit 2004, vitit më të mirë qeverisës të partisë së zotit Rama”; pra, u mblodhën 104% më shumë të ardhura”, - tha Serbo. Një tjetër tregues janë eksportet, të cilat, sipas Ministrisë së Financave, këtë 6 mujor arritën në 82 miliard lekë, kundrejt vetëm 48 miliard që ishin në të njëjtën periudhë të vitit te kaluar”.
“Zoti Rama ndjehet i mjeruar nga fakti se sot, Shqipëria ka rritjen ekonomike më të madhe në Europë dhe ka garantuar 3,2 miliard euro, si grante dhe kredi për tre vitet që vijnë, dëshmi kjo e besimit të palëkundur të financave ndërkombëtare tek ekonomia shqiptare”, - tha zëdhënësja, Serbo. “E këshillojmë zotin Rama, që, më mirë sesa të ngushëllohet me lotët e Seserit dhe vajet e Berberit, të marrë treguesit dhe të dhënat e ekonomisë shqiptare pranë Ministrisë së Financave ose nga institucionet ndërkombëtare”, - përfundon deklarata zyrtare e këtij institucioni. Në momentin e prezantimit të ndryshimeve të buxhetit, ministri i Financave ka theksuar se rritja ekonomike e vendit gjatë vitit 2010 do të jetë më e madhe se 4%.
PS, pesë pyetje publike Berishës për pasurinë e Priftit
TIRANË – Socialistët kanë akuzuar ashpër kryeministrin Berisha duke e kritikuar për heshtje në lidhje me pasurinë e deklaruar të ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit. Deputeti socialist, Taulant Balla i drejtoi dje pesë pyetje kreut të mazhorancës, të cilat kanë të bëjnë me pikëpyetjet e tjera të ngritura nga opozita për të ardhurat e deklaruara nga zoti Priftit. “Për të ditë të tëra Sali Berisha u fsheh nga përballja me shqiptarët, të cilëve është i detyruar t’u japë një përgjigje për pasurimin e shfrenuar të familjarëve dhe të ministrave të tij. Ndërkohë që të gjithë shqiptarët numërojnë qindarkat për të shtuar një produkt ushqimor më shumë në tryezën e tyre. Edhe dje Sali Berisha refuzoi të japë përgjigje për milionat e Dritan Priftit”, - shpreh dje deputeti socialist, Balla. Ai kërkoi nga kreu i qeverisë që tu shpjegojë shqiptarëve se si e ka bërë ministri i tij pasurinë në kaq pak muaj; a ka paguar taksat dhe a është ortak me ministrin Prifti në biznesin e tij”.
“I kërkojmë sot Sali Berishës ti shpjegojë para shqiptarëve se çfarë pazari ka mbyllur me Ilir Metën një vit më parë, dhe sa është vlera e këtij pazari. Një nga ministrat e pazarit për një vit ka përfituar 1.8 milionë Euro. A ka mundësi ti tregoni shqiptarëve sa e keni mbyllur pazarin?, - thuhet në deklaratën e djeshme të deputetit të selisë rozë. Prej disa ditësh opozita dhe mazhoranca janë përfshirë në një konflikt pas deklarimit të pasurisë nga ministri i Ekonomisë, Dritan Priftit.
Box 1
Pasuria e Priftit
PESË PYETJET E PS PËR BERISHËN
1. Sali Berisha a mund ti shpjegosh shqiptarëve se si e ka shtuar pasurinë me 1.8 milionë euro në një vit ministri yt i Ekonomisë?
2. Sali Berisha a mund ti shpjegosh shqiptarëve, a e ka paguar Dritan Prifti tatimin prej të paktën 180 mijë euro për fitimin e deklaruar prej 1.8 milionë euro?
3. Sali Berisha a mund ti tregosh shqiptarëve se si ka mundësi që fabrika që s’prodhoi asnjë tullë, jo vetëm që i siguroi Dritan Priftit 1.8 milionë euro fitim, por siç po del çdo ditë në dritë, Ministri yt i Ekonomisë paska shlyer edhe 1.7 milionë euro kredi.
4. Sali Berisha a mund ti tregosh shqiptarëve se si i pagoi këstet e kredisë apo kush i pagoi këto këste kredie në emër të Ministrit tënd të Ekonomisë?
5. Sali Berisha të kërkojmë sot ti japësh përgjigje shqiptarëve, a je ti ortak në fitimet e Dritan Priftit, dhe çfarë nënkupton heshtja jote e tej-zgjatur mbi këtë skandal?
eeeeeeeeeee
28 Korrik 2010