Dyshohej se përdorej për trafik droge
TIRANË - Dy shqiptarë janë arrestuar pasi janë ndaluar duke udhëtuar me një mjet lundrues tip gomone në brigjet italiane. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane dhe u finalizua me bllokimin e gomones 9 metra të gjatë, prangosjen e Valentin Ndojit, 22 vjeç, nga Fushë-Kruja dhe Arben Isufit, 29 vjeç, nga Delvina. Arrestimet janë konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Policia tha se “nga një operacion i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe strukturave policore italiane është bërë i mundur bllokimi i një mjeti lundrues tip gomone rreth 9 metra i gjatë, me tre motorë, si dhe arrestimi i dy shtetasve shqiptarë, përkatësisht, Valentin Ndoj, 22 vjeç, nga Fushë-Kruja dhe Arben Isufi, 29 vjeç, nga Delvina”. Gomonia është konstatuar nga efektivët e Policisë Kufitare në orët e para të ditës së djeshme teksa ishte duke lëvizur me një shpejtësi të madhe në drejtim të ishujve të Fanosit (Greqi). Menjëherë janë informuar efektivët e Policisë së Shtetit dhe më pas ato italiane. Në ndjekje të këtij mjeti janë vënë shërbimet e Delta Forcës, si dhe mjeti i Guardia di Finanzia Vlorë në bordin e të cilit është i dislokuar dhe një punonjës i Policisë Kufitare Shqiptare, 24 orë pa ndërprerje. Gjatë ndjekjes mjeti lundrues ka ndërruar kursin e lëvizjes duke iu drejtuar brigjeve italiane. Për këtë fakt menjëherë nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare u vunë në dijeni autoritetet policore italiane. Ndjekja e mjetit ka vijuar në ujërat territoriale italiane. Në ndihmë të mjetit të Guardia di Finanzia Vlorë, autoritetet policore italiane kanë vënë në dispozicion dhe një helikopter. Si rezultat i kësaj ndjekjeje, rreth orës 02:45, në jug të brigjeve italiane është bërë i mundur bllokimi i mjetit lundrues, si dhe kapja e dy personave që ndodheshin në bord, Valentin Ndoj dhe Arben Isufi. Dyshohet se mjeti lundrues shërbente për trafik lëndësh narkotike.
Fuoristrada shtyp 24 krerë bagëti, nuk i hapën rrugën
TIRANË - Rrugët që lidhin Tiranën me Veriun e vendit bëhen thuajse çdo ditë skena të aksidenteve tragjike me viktima në njerëz. Por në rrugën Fushë-Krujë-Vorë, masakra e radhës ka pasur për viktima bagëtitë. Kopeja me mbi 100 krerë dhi po kalonte rrugën gjatë shtegtimit nga fushat e Durrësit në malet e Dibrës për të kaluar stinën e verës. Ka qenë ora 02:00 e mëngjesit kur një fuoristradë që ishte duke udhëtuar ka marrë përpara kopenë duke vrarë 24 krerë bagëti. Sipas asaj që i ka pohuar policisë çobani, drejtuesi i automjetit fillimisht kishte tentuar t’i trembte bagëtitë përmes borisë për t’i hapur rrugën dhe më pas ka drejtuar makinën me shpejtësi duke çarë mes për mes kopenë dhe duke vrarë 24 krerë. Policia ndërkohë ka bërë ndalimin e drejtuesit të automjetit.
Kapen 800 koli me cigare kontrabandë
DURRËS - Një aksion i Doganave dhe i Policisë ka çuar në bllokimin e më shumë se 800 kolive me cigare kontrabandë që vinin nga Malta. Mësohet se bllokimi i kësaj sasie të konsiderueshme me cigare është bërë në terminalin e kontejnerëve. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, ka deklaruar se ky operacion është bërë i mundur nga një punë paraprake në doganën e Hanit të Hotit. Nga hetimet është mësuar se do të vinte një sasi e madhe cigaresh. Nga të dhënat mësohet se ka dhe të arrestuar, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur pasi janë duke vazhduar hetime të tjera dhe dyshohet se rrjeti të jetë i madh. Drejtori i Doganave tha se kjo sasi është më e madhja që është sekuestruar ndonjëherë në Portin e Durrësit. Policia dhe Doganat kishin disa muaj që ishin vënë në ndjekje të rrjetit të kontrabandimit të cigareve. Vlera e mallit të sekuestruar shkon në 200 mijë euro.
26 Maj 2010