Dy vajzat në koma do kurohen në Austri
Dy studentet e aksidentit tragjik të Himarës, që ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore (koma) do të dërgohen për tu kuruar jashtë vendit, në Austri. Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, dje pasdite gjatë një konference për shtyp. Sa i përket 13 studenteve të tjera, mjekët pohojnë se e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe se shumë shpejt do të dalin nga spitali për tu kthyer pranë familjeve të tyre.Dy vajzat e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e së hënës në Himarë dhe që paraqiten më rëndë në Spitalin Ushtarak do të dërgohen në Austri për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore, tha dje ministri Petrit Vasili.
Klinika në Austri
Pas apelit dhe interesimit të veçantë dhe të vazhdueshëm të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, ambasada austriake në Tiranë dhe një bankë private mundësuan kurimin e tyre në klinika të specializuar në Austri. Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në 4 vertebra të shtyllës kurrizore dhe në veshka.
Vasili
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në një komunikim lidhur me gjendjen e studenteve të plagosura, nga ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë bëri me dije se dy vajzat, të cilat ndodhen në gjendje të rëndë do të dërgohen në klinika të specializuara në Austri ditën e nesërme, pas arritjes së marrëveshjes me ambasadorin austriak në Tiranë. Shqetësimi është se dy vajza kanë paraqitur një problematikë shëndetësore të shqetësuar. Me ambasadorin e Austrisë në Tiranë, kemi bashkëpunuar dhe i jemi mirënjohës se në një komunikim të gjatë dhe pa orar dhe duke komunikuar me Raiffeisen Bank dhe me faktorë të tjerë, kemi arritur në një zgjidhje të përbashkët që të kemi një zgjidhje pozitive, trajtimin e vajzave në klinikë të specializuar në Austri, deklaroi ministri.
Ambasadori
Gjithashtu ministri Vasili bëri me dije se gjendja e vajzave të shtruara në Vlorë si dhe të plagosurave të tjera në Tiranë paraqitet e qëndrueshme dhe drejt përmirësimit. Pesë nga vajzat e shtruara në spitalin e Vlorës kanë dalë dje, dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ambasadori austriak u shpreh i lumtur për marrëveshjen e arritur, ndërkohë që bëri me dije se transportimi do të kryhet sot për shkak se statusi mjekësor i të sëmurave nuk e lejonte një veprim të tillë qysh dje.
Rektori: Do rishikojmë planin mësimor për ekspeditat
Rektori i Universitetit Aleksandër Xhuvanit Edmond Varoshi ka vizituar dje studentet e shtrua në Spitalin Ushtarak, ndërsa është shprehur se gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit. Ai u shpreh i sigurt, nga përkushtimi i jashtëzakonshëm, i mjekëve, rezultatet do jenë shumë të mira dhe studentet do ti kthehen jetës studentore. Ndërsa i pyetur për akuzat e familjarëve, në lidhje me ekspeditat, Varroshi sqaroi se ato janë pjesë e planit mësimor, nga të cilat studentet merrnin kreditet e nevojshme, në kuadër të kartës së Bolonjës. Nuk ka vërtetësi të lajmit, kemi komunikuar me familjarët. Ekspeditat janë pjesë e planit arsimor që mundëson normalitetin e mësimit. Ky është plani mësimor. Studenti ka kredite për vlerësimet, sipas Kartës së Bolonjës. Normalisht që pas ngjarjes do rishikojmë planin mësimor, ne respektojmë Bolonjën, por çdo gjë do ta rishikohet, pse jo komentoi ai.
Të aksidentuarve iu takon dëmshpërblim sipas ligjit
Ligji shqiptar u jep të drejtën familjeve të personave që humbasin jetën në aksidente me mjete të transportit publik të përfitojnë dëmshpërblim financiar. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë të ditur dje në media se ligji parashikon dëmshpërblim edhe për ata persona, që mbesin të lënduar gjatë këtyre aksidenteve, për të përballuar shpenzimet e kurimit apo dhe kompensimin e humbjes së aftësisë për punë, qoftë kjo e përkohshme apo e përhershme. Sipas AMF-së nga dëmshpërblimi, sipas ligjit në çdo rast përjashtohet vetëm drejtuesi i mjetit, por nëse ai ka policë sigurimi vullnetar ai mund të përfitojë dëmshpërblim në rast aksidentesh. Në rastin e tragjedisë së Himarës ku humbën jetën 13 vetë dhe u plagosen 24 të tjerë AMF thotë se autobusi i rrëzuar ka qenë i siguruar, ndaj palëve të treta u takon dëmshpërblim tek kompania e sigurimeve. Sipas AMF ky siguracion mbulon dëshmpërblimin për viktimat dhe të plagosurit në një vlerë totale që është minimalisht 150 milionë lekë. Ky është kufiri minimal i dëmshpërblimin, por vlera reale del pas vlerësimit që bëjnë ekspertët e posaçëm të autoritetit të mbikëqyrjes financiare. Shuma e dëmshpërblimit llogaritet sipas një formule të posaçme që është parashikuar në ligj. Sipas AMF-së, kompania siguruese i ka të gjitha kapacitetet financiare për të përballuar dëmshpërblimin.
5 vajza dalin nga spitali
Pas përmirësimit të gjendjes së tyre shëndetësore kanë lënë dje spitalin e Vlorës 5 studente të cilat i shpëtuan aksidentit tragjik të Himarës. Mësohet se vajzat që kanë lënë spitalin e Vlorës janë shoqëruar nga ambulancat në drejtim të qyteteve të tyre. Mjekët e spitalit të Vlorës, deklarojnë se vajzat që kanë dalë nga spitali janë: Ergita Opingari; Ticiana Hysaj; Anisa Hysa
Enkela Daja dhe Adisa Çela.
Mihja: Shpresë për 2 vajzat e tjera
Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja ka deklaruar dje në mesditë se 12 vajza janë duke u përmirësuar, ndërsa për dy të tjerat që ndodhen në gjendje kome, stafi i mjekëve po bën të pamundurën për ti shëruar. Deri tani nuk ishte parë e arsyeshme të niseshin jashtë shtetit, për shkak të ndonjë dëmtimi të mundshëm. Kemi shpresë që vajzat që janë më rëndë, do tia dalin. Do bëjmë lëvizje të matura, po ato janë në gjendje kome, terapi intensive, ne kemi shpresën se do ia dalin, tha Mihja.
Sequi: Vlerësoj solidaritetin shqiptar
Ambasadori i OSBE-së, Etore Sequi vizitoi dje studentet e aksidentuara në Himarë, që ndodhen në Spitalin Ushtarak. Ai vlerësoi solidaritetin e shqiptarëve dhe tha se para sfidave ata dinë të bëhen gjithnjë bashkë. I vizitova vetë pacientet dhe kuptova që për to është bërë e pamundura nga mjekët. Vendosa të vij këtu, se kjo ngjarje të gjithëve na ka prekur në shpirt. Rinia shqiptare është pasuria më e madhe e këtij kombi, rinia e Shqipërisë janë pasuria. Pata mundësi të bisedoj me to, më ka bërë përshtypje forca dhe vendosmëria e vajzave për tu përballur me këtë situatë, tha ambasadori.