E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët zbardhin aksidentin: Frenat dolën jashtë funksionit

Tragjedia e Qafës së Vishës, në Himarë ku humbën jetën 11 vajza studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari i një prej vajzave ndodhi për shkak të mosfunksionimit të frenave. Nxehja e tambureve të frenave dyshohet se ka luajtur rol kryesor në tragjedinë e 21 majit, ku kthesa e fundit e aksit Vuno-Himarë u mori jetën 13 personave mes tyre 11 studenteve të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Pas më shumë se 48 orësh nga tragjedia e rëndë ekspertët e Prokurorisë të cilët që prej tre ditësh ndodhen në vendngjarje në Qafën e Vishës, dyshojnë se shkak kryesor i aksidentit mund të jetë bërë nxehja e frenave. Edhe pse hetimet rreth aksidentit tragjik vijojnë, nga gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë e para, duket se ka pasur tejnxehje të frenave të autobusit, të cilat në momentin kur mjeti ka qenë në zbritje dhe në kthesë kanë arritur në një stad ku nuk mund të funksiononin në parametrat normalë.
Ekspertiza
25 ekspertët e mbledhur nga Prokuroria dyshojnë se gjatë gjithë itinerarit të ekspeditës kryesisht në ngjitjen e Qafës së Llogarasë mbajtja e frenave në çdo kthesë ka ndikuar negativisht në nxehjen e ferrotave. Kjo ka sjellë si pasojë zvogëlimin deri në minimum të ferrotave dhe ka bërë të pamundur frenimin dhe uljen e shpejtësisë së autobusit. Por ndikim të konsiderueshëm ka pasur edhe pjerrësia e segmentit rrugor. Deri më tani sipas ekspertëve të prokurorisë koefiçenti i fërkimit të gomave me asfaltin për automjetet e transportit publik apo ato të rënda është 0.4 për qind dhe jo si në rastin e autoveturave të cilat kapjen e gomës me asfaltin e kanë deri në kuotat 0.7 për qind. Kjo do të thotë që frenimi i mjeteve të vogla është më efikas sesa ai i autobusëve apo automjeteve të rënda. Ndërkaq, nxehja e ferrotave e ka ulur kapjen e gomave në asfalt në 0.3 për qind. Të dhënat teknike të frenimit, nxehja e ferrotave por dhe pjerrësia e segmentit së bashku me tangenten e kthesës; e kanë bërë mjaft të vështirë ndaljen e automjetit.
Shkaku i aksidentit sipas ekspertëve
Burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se autobusi lëvizte brenda normave të shpejtësisë. Duket se tejnxehja e tambureve i ka dhënë idenë shoferit Pëllumb Çela se mjeti nuk po frenonte fare. Në këto kushte, duket se shoferi Çela ka tentuar ta rikthejë në normalitet lëvizjen e automjetit, duke u fërkuar me faqen e shkëmbit. Por edhe ky veprim-i konsideruar logjik nga ekspertët-ka rezultuar i pasuksesshme, pasi koha ka qenë mjaft e kufizuar sepse menjëherë shoferi është gjendur përballë kthesës pasardhëse. Këtu koha e manovrimit ka qenë zero, ndërsa përplasja pingule me bordurën anësore në krahun e majtë të rrugës ka bërë që autobusi të bjerë në greminë nga një lartësi prej 60 metrash.

Papa Benedikti XVI ngushëllon familjet e viktimave
Papa Benedikti XVI ka ngushëlluar dje familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. Përmes një mesazhi drejtuar Shkëlqesisë së tij Monsinjor Hil Kabashi i cili është administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut, Ati i Shenjtë thekson se lutet për viktimat dhe të plagosurit e aksidentit. U informova për aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi në zonën e Himarës, ku humbën jetën trembëdhjetë studente dhe shpreh pikëllimin e thellë për familjet e viktimave ndërsa lutem  nga zemra për të vdekurit dhe për të plagosurit. I lyp Zotit ngushëllimin për ata që vuajnë për humbjen tragjike të të dashurve të tyre dhe bekimet qiellore mbi gjithë Kombin e goditur nga kjo ngjarje kaq tragjike thuhet në mesazhin e Papës.

Aksidenti në Himarë, vijojnë homazhet në Elbasan
Vijojnë homazhet në nder të studenteve që humbën jetën në aksidentin e dy ditëve më parë në Himarë, në hollin e universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan. Studentë, shokë, miq, por edhe qytetarë të thjeshtë kanë nderuar viktimat e aksidentit tragjik. Studentët e universitetit kanë shprehur dhimbjen e shkaktuar nga aksidente që mori jetën mikeshave të tyre. Homazhe gjatë ditës së sotme janë kryer pranë universitetit edhe nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë përcjellë ngushëllimet familjarëve të viktimave. Holli i katit të parë të universitetit të Elbasanit vazhdon të qëndrojë i hapur duke pritur qytetarë të shumtë për kryerjen e homazheve në nder të viktimave të aksidentit tragjik të Himarës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›