E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vëllezër "luftë" me armë me policinë

 

LAÇ - Qyteti i Laçit është terrorizuar të hënën në mesnatë, pasi dy vëllezër për minuta të tëra "luftuan" me armë me grupin e gatshëm të policisë. Shkak është bërë shoqërimi disa orë para kësaj ngjarjeje e njërit prej tyre. Duket se në shenjë hakmarrje, vëllezërit Gentian dhe Artur Suti do të sfidonin forcat e rendit, duke i kërcënuar ata me armë zjarri. Sipas burimeve në polici, Artur Suti është shoqëruar rreth orës 16.00 të së hënës nga i njëjti grup i gatshëm. Ai po udhëtonte me një motor tip "Yamaha" dhe po xhironte gomat nëpër qytet, duke prishur rendin e qetësinë. Pasi është mbajtur deri në orën 11.00, Suti është lënë i lirë. Pas lirimit, rreth orës 00:30, tek kryqëzimi i pazarit, në shëtitoren e qytetit, Gentian Suti së bashku me vëllain e tij Artur Suti, të cilët drejtonin mjetet "Benz" 250, pa targa, me ngjyre blu si dhe motorin tip "Yamaha" nuk u janë bindur urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar. Më pas njëri prej vëllezërve ka gjuajtur me armë zjarri pistolete në ajër, duke u larguar nga vendngjarja me mjetin "Benz", ndërsa motorin e ka lënë në vend. Të njëjtat burime saktësojnë se dy vëllezërit kanë tentuar të qëllojnë mbi tre punonjësit e grupit të gatshëm, Ilir Xeka komandant i grupit të gatshëm dhe dy punonjësit e tjerë të policisë, Luan Topalli dhe Marjan Laska. Nga të shtënat nuk ka pasur viktima, pasi uniformat blu janë larguar për t'u shpëtuar plumbave. Pas ngjarjes Drejtori i policisë së Qarkut Lezhë Mërgim Hoxha, së bashku me zëvendësin e tij, kanë mbërritur në komisariatin e policisë së Kurbinit, duke u njohur me gjendjen e krijuar. Ndërkohë që në Laç dje mbërritën edhe forca të RENEA-s, të cilët po punojnë për arrestimin e vëllezërve, që gjuajtën policinë dhe terrorizuan qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›