Zhduken në det 3 peshkatarë
Zhduket në det go-monia me 3 peshkatarë. Prej mëngjesit të djeshëm, tre persona nga Vlora nuk kanë mundur të drejtojnë mjetin lundrues drejt bregut, duke u endur mes dallgëve. Kërkimet nga pala shqiptare dhe malazeze dështuan mbrëmë, për shkak të errësirës dhe dallgëve të mëdha, ndërsa jeta e Romeo Purizit, Niko e Sotir Golajt është në mëshirë të fatit. Ata ishin nisur nga Vlora mbrëmjen e së dielës për peshkim, por disa telefonata të kryera me një numër të telefonisë malazeze kanë bërë që vendndodhja e tyre të dyshohej gjatë ditës së djeshme se ishin pikërisht në ujërat territoriale të Malit të Zi. Vetë peshkatarët kanë mundur të komunikojnë me familjarët herë pas here me celular, por pa arritur të japin koordinata të sakta. Rreth orës 19:00 të mbrëmjes në adresë të Kapitanerisë së Vlorës ka mbërritur telefonata e fundit, sipas të cilës peshkatarët kërkonin ndihmë, pasi ndodheshin shumë pranë një zone të banuar.
Alarmin e parë e dhanë familjarët e 43-vjeçarit Purizi. Sipas tyre, Romeo u kishte thënë të dielën se do të nisej për peshkim me gomone me dy shokë të tij. Ndonëse sipas familjarëve zakonisht Romeo gjuante me pushkë deti, atë ditë ai u nis për peshkim me rrjeta. Nisja ishte bërë nga zona e Triportit edhe pse Kapitaneria e Vlorës pohoi dje, se nuk kishte marrë asnjë informacion prej peshkatarëve për daljen në det të tyre. Në bazë të rregullave të peshkimit, mëngjesin e djeshëm pritej rikthimi i peshkatarëve në bregun e Vlorës. Familjarët kanë pritur në mëngjes, por më kot. Ata i kanë rënë celularit të Romeos dhe sapo kanë mundur të lidhen me të, ai u ka kërkuar të lajmëronin policinë e Kapitanerinë se motori i gomones nuk funksiononte dhe se dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Të shqetësuar, rreth orës 12:30 ata kanë njoftuar Kapitanerinë e Vlorës. Me shpejtësi janë vënë në dijeni strukturat e kufirit, rojet bregdetare, policia, distrikti detar si dhe Kapitaneria e Durrësit dhe ajo e Shëngjinit. Në orën 16:30 njëri prej peshkatarëve ka marrë në telefon Kapitanerinë e Vlorës, duke shprehur alarmin se ndodheshin në det në mëshirë të fatit. "Shohim një mal, një traget që lëviz dhe disa banesa, por nuk e dimë se ku ndodhemi përafërsisht". Në këtë moment një traget ishte nisur nga Durrësi në kërkim të tyre, por pa mundur të pikasnin gomonen. Në një komunikim tjetër me Kapitanerinë e Vlorës ata kanë pohuar se errësira nuk i lejonte të shihnin as anijet e as helikopterin që po i kërkonte. Gjatë ditës së djeshme në Kapitaneri ndodhej dhe vëllai i Romeos, i cili priste me ankth për të mësuar mbi fatin e të vëllait dhe dy shokëve të tij.
Shefi i Kapitanerisë së portit të Vlorës Anastas Goga tha dje se, tre personat në bordin e gomones së vogël kanë një telefon celular nga ku komunikojnë, por që rreth pasdites dilte një numër i telefonisë malazeze. Kjo e dhënë ka bërë që kontrollet të shtrihen dhe në shtetin fqinj. Pala malazeze ka vënë në kërkim të gomones anijet patrulluese bregdetare, ndërsa ka lejuar që helikopteri ynë të kryejë fluturime mbi pjesën që i përket shtetit fqinj. Gjatë pasdites, dy helikopterë, një skaf i policisë kufitare të Shkodrës dhe anija malazeze kanë patrulluar në pjesën ndarëse e më tej. Por asnjë shenjë gomoneje nuk gjendej prej tyre. Drejtori i kufirit në Shkodër, Besnik Zela pohoi dje se inspektimi në të gjithë zonën e dyshuar se ndodhej gomonia dolën pa sukses. Dallgët e mëdha e kanë bërë të pamundur pikasjen e mjetit lundrues, ndërsa për hir dhe të errësirës rreth orës 17:30 kërkimet janë ndërprerë. Ato pritet të nisin me të zbardhur dita nga një numër i madh mjetesh lundruese, ndërsa shpresohet që gomonia të mos dalë në det të hapur. q.b/r.d