E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari, gjobë mafioze 1.5 milionë euro italianit

 

 Koka e prerë e një qeni, me disa trëndafila në gojë, ka terrorizuar në të vërtetë anëtarët e familjes së biznesmenit nga Viçencia, të cilët prej kohësh merrnin telefonata kërcënuese. Dy protagonistët e shantazhit, njëri prej të cilëve shqiptar, u arrestuan dje nga një aksion që u zhvillua në bashkëpunim mes karabinierëve të Viçencias me ata të Bergamos. Agjencitë e lajmeve të vendit fqinj bënë të ditur dje arrestimin e Artur Leçit, 30 vjeç, kontraktor ndërtimor, rezident në Grumelo del Ponte dhe të italianit Nikola Vetrano, 27 vjeç, banor i Vila Cacrinës (Breshia). Sipas policisë italiane, të dy të arrestuarit akuzohen se që prej nëntorit kanë kërcënuar për para një sipërmarrës nga Noventa Vicentina. Veç të tjerash, sipas policisë, po ata janë edhe autorët e vënies në flakë të një kamioni, brenda kompanisë së biznesmenit, i cili merrej në mbledhje të skrapit. Burime policore bëjnë të ditur se biznesmenit i ishin kërkuar 1.5 milionë euro dhe grabitësit i kishin ofruar edhe një sërë mënyrash për të bërë dorëzimin e gjobës. Mësohet se kërkesat, të cilat bëheshin gjithmonë nëpërmjet telefonit, shoqëroheshin gjithnjë me mesazhe shantazhi. "Kërcënimet shkonin deri aty, sa të paralajmëronin me vdekje familjarët e biznesmenit të hekurit", citonin mediat italiane. Ndërsa kërcënimet telefonike i kanë "përforcuar" edhe me mesazhe si ato të mafies. Pak ditë më parë një kokë qeni e prerë me disa trëndafila në gojë është gjetur përpara derës së shtëpisë së biznesmenit. Por hetimet e filluara menjëherë pas denoncimit të sipërmarrësit në polici kanë çuar në arrestimin e dy autorëve, pjesë e të cilëve ishte edhe shqiptari. Mësohet se arrestimi i tyre është bërë teksa ata po prisnin biznesmenin për t'u dorëzuar paratë, në vendin e caktuar më parë prej tyre. Policia kishte marrë denoncim nga pala e dëmtuar dhe menjëherë ka organizuar veprimet për kapjen e personave të akuzuar si autorë të ngjarjes duke instruktuar biznesmenin e dëmtuar.                           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›