Dy vetëvrasje në Shkumbin dhe Devoll
Secili nga dy lumenjtë që përshkojnë territorin e Qarkut të Elbasanit, Shkumbini dhe Devolli, kanë marrë dje jetë njerëzish. Pothuajse në të njëjtën orë janë mbytur dy 60-vjeçarë, për shkaqe që ende nuk dihen. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në rrjedhjen e sipërme të lumit të Shkumbinit, te vendi i quajtur Ura e Toromanit është vetëmbytur 60-vjeçari Riza Krasaniqi. Ky i fundit mësohet të jetë hedhur vetë nga ura dhe është ndarë nga jeta mes valëve të lumit të Shkumbinit, ngjarje kjo e ndodhur rreth orës 11:00 të paradites së djeshme. Rreth 30 minuta më parë, në Gramsh, ishte regjistruar një mbytje tjetër. Të njëjtat burime zyrtare konfirmojnë se rreth orës 10:30 minuta të paradites së djeshme në ujërat e lumit të Devollit është vetëmbytur 60-vjeçarja Hatixhe Toçila. Për të dyja rastet është duke hetuar nga policia e dy komisariateve përkatëse për të gjetur shkaqet dhe motivet e vetëmbytjeve.