Dy viktima te “Bërryli”, kapen autorët e sherrit
TIRANE - Policisë së kryeqytetit iu deshën 24 orë për të vërtetuar autorësinë e plagosjes së një personi dy ditë më parë në një supermarket te “Bërryli”, edhe pse autorët ishin shoqëruar në komisariat menjëherë pas ngjarjes. Është dashur krahasimi i gjurmëve të gishtave të së gjithë të ndaluarve, me gjurmët që ndodheshin të arma e plagosjes, në mënyrë që të arrestoheshin autorët e vërtetë të ngjarjes. Për ngjarjen ku mbeti i plagosur me thikë 55-vjeçari Kadri Lluga dhe humbi jetën nga infarkti Pëllumb Murati, policia fillimisht ndaloi si të dyshuar djalin e viktimës, Ledio Murati, i cili gjatë gjithë natës që u mor në pyetje nuk e pranoi autorësinë. Ndërkohë, dy të shoqëruar në Komisariatin Nr.4, në cilësinë e dëshmitarëve, rezultuan të ishin autorët e ngjarjes së të enjtes mbrëma. Sipas burimeve nga policia menjëherë pas krahasimit të provave dhe gjurmëve në vendin e ngjarjes, u arrestuan vëllezërit Gentian dhe Elton Vathi, përkatësisht 35 dhe 32-vjeçarë. Në të njëjtën kohë është liruar Ledio Murati, i cili fillimisht u dyshua si autor i ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vdekur edhe babai i tij, si pasojë e tronditjes në momentin e konfliktit. Policia ka mundur të zbardhë edhe skemën e ngjarjes, për të cilën kishte pasur një sinjalizim edhe një ditë para se të ndodhte. Sipas burimeve mësohet se palët që ishin përfshirë në konflikt, më 6 maj, një dirë para ngjarjes, ishin shoqëruar për të dhënë deklarime në Komisariatin Nr.4, por nuk kishin preferuar të bënin kallëzime, duke mos pranuar zgjidhjen e problemit në rrugë ligjore. Sipas të dhënave të grupit hetimor, është arritur në përfundimin se ngjarja e së enjtes ka ndodhur si pasojë e një konflikti të ndodhur një ditë para saj, në lokalin “Inter–Bast”, që ndodhet në rrugën “Sifki Cico”, pranë “Bërrylit”. Pas konfliktit të ndodhur në lokal policia ka shoqëruar në Komisariatin Nr.4, Pëllumb Muratin, Gentian Vathin si dhe është dhënë vendim ekspertimi mjeko-ligjor për Xhavid Vathin, i dëmtuar në konfliktin e ndodhur më datë 6 maj. Të dyjave palëve u janë marrë deklarime në lidhje me konfliktin dhe në përfundim palët nuk kanë kërkuar që çështja të ndiqet ligjërisht. Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen e djeshme, e cila erdhi në vazhdim të konfliktit të mëparshëm, u shoqëruar në polici Gentian Vathi, Elton Vathi, Ledio Murati, Xhavid Vathi, dhe Aldo Hoxha, të cilët kanë dhënë sqarime në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Nga të gjitha verifikimet e kryera, provat e gjetura në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë e shoqëruarve, policia ka shoqëruar si të dyshuar vëllezërit Gentian dhe Elton Vathi. Ndërkohë, nga ekspertiza paraprake mjekoligjore, e trupit të viktimës, Pëllumb Murati, nuk janë evidentuar dëmtime me armë zjarri ose dëmtime të tjera të jashtme. Nga deklarimet e marra familjarëve, rezulton se viktima ka vuajtur më parë nga sëmundje kronike të zemrës. e.d