E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilija Lonçareviç do pankinën e Shqipërisë

 

JORGIS MEMO

Trajneri kroat Ilija Lonçareviç është pranë marrëveshjes me Federatën Shqiptare të Futbollit, për të marrë drejtimin e kombëtares. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kroate, të cilat mbështeten në pohimet e vetë trajnerit 65-vjeçar, që ka qenë më parë në pankinën e Dinamos së Zagrebit dhe kombëtares së Libisë. Por ajo që çudit, është fakti se kjo marrëveshje është vlerësuar si e përfunduar, nisur nga garancia që ka dhënë Lonçareviç. "Po përgatitem për të udhëtuar drejt kryeqytetit shqiptar. Zyrtarisht nuk mund t'ju konfirmoj se jam trajneri i Shqipërisë, por është shumë e rëndësishme të them, se jemi marrë vesh me FSHF-në, për të gjitha detajet e bashkëpunimit. Pres që në të ardhmen, karrierën ta vazhdoj në Tiranë,"- ka thënë dje trajneri Lonçareviç, për gazetën kroate "Jutarnji List". Edhe pse midis shumë emrave të lakuar së fundmi, ai është vetëm njëri prej tyre, nuk mund të përjashtohet mundësia që kroati të jetë pasuesi i Ari Hanit në pankinën kuqezi. Në institucionin e futbollit nuk e konfirmojnë lajmin, ashtu siç është vepruar edhe më parë me trajnerët e tjerë të përfolur për të drejtuar Shqipërinë. Njeriu që ka të drejtën ekskluzive të zgjedhjes së trajnerit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka nisur gjithçka nga e para. Por tani mësohet se problemi më i madh është bërë mungesa e alternativave bindëse. Refuzimi i kroatit tjetër Branko Ivankoviç, e ka çuar situatën në këtë pikë. Ndërkohë, përveç Lonçareviçit, në listën e shumë trajnerëve të përfolur, mbetet gjithashtu kroati Zllatko Krajnçar.
Karriera
Por kush është Ilija Lonçareviç? Trajneri nga Cajkovci ka drejtuar shumë skuadra kroate, ndër të tjera edhe kampionen e shumëfishtë, Dinamon e Zagrebit, në dy edicione të ndara. Më 2003-in është emëruar trajneri i përfaqësueses së Libisë. Në sezonin e fundit 65-vjeçari ishte kandidat për ta marrë përsëri drejtimin e Dinamos, por për të mos ndenjur kot ai udhëhoqi deri në mars të këtij viti Lokomotivën, skuadrën e Ligës së Dytë të Kroacisë. Karrierën si teknik e ka nisur që në vitin 1987 me Inker Zapresiç. Këtë të fundit e udhëhoqi drejt fitimit të Kupës në vitin 1992. Por suksesin më të madh, Lonçareviç e ka me Dinamon e Zagrebit, ku fitoi titullin në vitin 1999. Ndërkohë, në periudha të ndryshme ai ka drejtuar skuadrat Zagreb, Marsonia, Osijek, Rijeka dhe Sllaven Belupo. Eksperienca e vetme e Ilija Lonçareviç, në krye të një ekipi kombëtar, është me Libinë. Në këtë të fundit u emërua në vitin 2003, duke e udhëhequr në ndeshjet paraeliminatore për kualifikueset e Kupës së Botës 2006. Në mënyrë të habitshme, kroati u shkarkua nga detyra në korrik të vitit 2004, edhe pse ekipi humbi vetëm një ndeshje. Pas kësaj aventure, ai vazhdoi te Dinamo e Zagrebit, por e veçanta është se në prill të 2005-ës, u emërua për herë të dytë në krye të Libisë.

Edhe Duka konfirmon bisedimet

"Po, kemi biseduar me këtë trajner, nuk e di, mbase ai do të jetë, por nuk ka asgjë konkrete për momentin.". Është ky konfirmimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për trajnerin kroat Ilija Lonçareviç. Numri një institucionit të futbollit, i kontaktuar dje nëpërmjet linjës telefonike, pranoi për "Panorama" se gjatë këtyre ditëve është biseduar me shumë trajnerë, por që ende nuk ka diçka të qartë për emrin e pasuesit të holandezit Ari Han në krye të Shqipërisë. "Mund t'ju them që kemi biseduar me disa trajnerë dhe jemi ende në kuadrin kërkesave të tyre dhe kushteve që ne si FSHF ofrojmë. Nuk kemi ndonjë gjë konkrete për të thënë, në lidhje me arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Për momentin kjo është situata dhe për gjërat e tjera është e tepërt për të folur", - ka thënë Duka. Më tej, presidenti i FSHF-së, i pyetur në lidhje me atë çfarë Lonçareviç ka thënë për gazetën "Jutarnji List", kujtoi nga biseda e bërë me të gjatë këtyre ditëve. Pasi vihet në dijeni se trajneri kroat është shprehur gati i sigurt për marrëveshjen me Shqipërinë, presidenti Duka pohoi: "Të them të drejtën, tani po, më kujtohet si emër. Është një trajner që mban mustaqe. Nuk e di, mbase ai do të jetë, por që situata është ashtu siç u shpreha më lart. Po bëjmë maksimumin për të marrë vendimin e duhur dhe të zgjedhim sa më shpejt trajnerin e ri të kombëtares."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›