E Diel, 1 Nëntor 2026

Paniku, kamioni me bombola aksidentohet në superstradë

 

GJIROKASTER / PIRO NASE

Dy makina të tonazhit të rëndë u përplasën dje në superstradë, ndërsa njëra po transportonte bombola gazi. Ngjarja ka përhapur panik në zonë, duke bllokuar të gjithë qarkullimin e mjeteve dhe angazhimin e menjëhershëm të zjarrfikësve dhe policisë së rendit. Mbi kamion ndodheshin 50 bombola gazi, të cilat mund të shpërthenin nga çasti në çast. Aksidenti ndodhi në aksin kombëtar nacional Gjirokastër-Kakavijë, në afërsi të fshatit Frashtan, fare pranë godinës së kompanisë së prodhimit të lëngjeve freskuese “FRESH”. Shpërthimi i bombolave të gazit është arritur të evitohet në kohë, pasi në rast të kundërt do të shkaktonte shkatërrimin total të dy mjeteve të rënda së bashku me drejtuesit e tyre. Policia e qarkullimit rrugor së bashku me Shërbimin Zjarrfikës kanë arritur të normalizojnë plotësisht gjendjen, falë ndërhyrjes në kohë të tyre. Sipas drejtuesit të zjarrfikësve, Lefter Qiriqi, kamioni që transportonte bombolat e gazit me targa TR 1774 K, i drejtuar nga 42-vjeçari Roland Çeno, gjatë parakalimit në krahun e kundërt, është përplasur me maunen me targa SH 51 53 E, i drejtuar nga 50-vjeçari shkodran Tahir Buhaj, i cili po udhëtonte drejt Kakavijës. “Falë njoftimit në kohë, nga një dëshmitar okular, është bërë e mundur që situata të normalizohet dhe të 50 bombolat e gazit të mos shpërthejnë”, citohet të jetë shprehur nga vendngjarja Lefter Qiriqi, i cili njëkohësisht shton se në ndihmë të shërbimit të zjarrfikës, mbërritën edhe katër punonjës të qarkullimit rrugor. Ata bllokuan për 15 minuta lëvizjen e automjeteve në të dy anët e rrugës. Sipas Qiriqit, operacioni për lëvizjen e bombolave të rrezikshme ka përfunduar rreth orës 10:00 dhe gjatë aksionit nuk u shënua asnjë incident. Ndërkohë Inspektorati i Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, ka zyrtarizuar shkaqet e aksidentit, duke pohuar se kamioni që po transportonte bombolat e gazit, ka tentuar të parakalojë në drejtim të kundërt dhe si pasojë të dyja automjetet kanë humbur drejtim, duke u zhvendosur në krahun e djathtë të rrugës kombëtare në drejtimin jugor për Kakavijë. Drejtuesi i kamionit, Roland Çeno, është dërguar urgjentisht në spitalin e Gjirokastrës për ndihmën e parë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›