Vrasja e Xhindit, hetim për pronat në Hipotekën e Fierit
Trazhgim Sokolaj
Grupi i hetimit të vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi “zbarkoi” dje përsëri në qytetin e Fierit për verifikime të tjera, që kanë të bëjnë me pistën e konflikteve të pronësisë. Dy prokurorë të Krimeve të Rënda shkuan dje në Fier, me qëllim që bashkë me hetuesit e policisë lokale të verifikojnë mosmarrëveshjet e mundshme të deputetit për çështje pronash në Roskovec dhe në Kurjan. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të hetimit sipas të cilave Zyrës së Regjistrimit të Pasurive (Hipoteka) Fier, i është kërkuar informacion zyrtar për pronat e deputetit dhe disa personave të dyshuar për kryerjen e krimit të rëndë, që ndodhi një javë më parë. Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë mësohet se Hipoteka e Fierit ka nxjerrë dje të dhënat për pronat e Fatmir Xhindit dhe disa personave të tjerë. Informacioni në lidhje me to i është përcjellë grupit të hetimit, i cili është duke verifikuar me hollësi për pronarët e disa objekteve në fshatin Kurjan, ku deputeti i vrarë kishte në zotërim disa sipërfaqe toke me ullishte. Pronësia mbi këtë tokë nuk është episodi i vetëm në këtë drejtim që po verifikohet nga Prokuroria e Krimeve të rënda me qëllim zbardhjen e vrasjes së rëndë. Sipas burimeve zyrtare në hetim është përfshirë edhe procesi i kthimit të pronave sipas ligjit 7501 si dhe përkatësia e disa trojeve, ku janë bërë ndërtime vitet e fundit.
Pista e pronave
Fatmir Xhindi i cili u vra me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e të shtunës më 1 maj 2009, më parë ka qenë kryetar komune në zonën ku banonte ndërsa më pas, për tri legjislatura rresht përfaqësues ui këtij komuniteti në Parlament. Roli i tij si kryetar komune e më pas si deputet në çështjen e pronave të zonës, në Roskovec dhe në Kurjan është bërë objekt i hetimeve të Prokurorisë. Kjo e fundit dyshon se banorë të zonës mund të kenë krijuar qejfmbetje apo edhe konflikte të bartura me deputetin për shkak të qëndrimit, që ai mund të ketë mbajtur gjatë detyrës së tij në lidhje me pronat e zonës. Burime zyrtare nga policia thanë dje se grupi i hetimit ka administruar në dosje një informacion të hollësishëm të dërguar nga Hipoteka e Fierit. Në këtë informacion së pari është përshkruar mënyra se si deputeti Xhindi ka përfituar dhe ka marrë në zotërim pronat që dispononte në Roskovec dhe në fshatin Kurjan. Në informacionin e marrë nga Hipoteka, Prokurorisë i është bërë me dije edhe lista e pronave që zotërojnë disa banorë të tjerë të Roskovecit dhe fshatit Kurjan. Duke verifikuar në këto informacione prokuroria shpreson të gjejë ndonjë fakt, që mund të orientojë hetimin drejt personave konkretë. Hipoteka zakonisht mban të dhëna për kohën e regjistrimit të një prone në emër të zotëruesit aktual të saj si dhe një historik të objektit në lidhje me pronarin e mëparshëm dhe mënyrën e transferimit të pronës me shitje, me dhurim apo me procedura të tjera. Duke hulumtuar në këto fakte prokuroria shpreson të zbulojë diçka konkrete, në drejtim të zbardhjes së atentatit të ndodhur më 1 maj 2009 në portën e shtëpisë së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi.
Hetuesit, në fshatin Kurjan për të pyetur dëshmitarët
FIER - Ende asnjë gjurmë nga ekzekutori i deputetit Fatmir Xhindi. Deri tani nga hetimet intensive të kryera në qytetin e Roskovecit, por edhe në fshatin Kurjan, nuk është konstatuar asnjë detaj i dyshimtë nga cili mund të hidhet dritë mbi misterin që ka përfshirë ekzekutimin barbar të deputetit Xhindi. Të ndodhur përballë kësaj situate prokurorët edhe pse kanë ngritur shpesh një mori dyshimesh të forta mbi ngjarjen ende nuk kanë arritur në një konkluzion përfundimtar mbi të dhënat dhe karakteristikat e autorit apo edhe të motivit. Të shtyrë nga puna përkushtuese, një grup i gatshëm hetimor ka vijuar të marrë në pyetje shumë persona për të siguruar qoftë edhe ndonjë detaj të vogël, por që në këtë rast do të vlente shumë. Ditën e djeshëm ata kanë vazhduar me marrjen në pyetje të banorëve të fshatit Kurjan në terren. Pjesëtarë të grupit të hetimit kanë udhëtuar drejt vendlindjes së deputetit të ekzekutuar 1 javë më parë, duke pyetur kryesisht shtëpiakë që ndodheshin në shtëpi gjatë paradites. Mirëpo megjithëse janë pyetur disa persona, numri i të cilëve nuk bëhet ende i ditur, por që mësohet të jenë gra pjesa më e madhe, ende nuk ka rezultuar asgjë që ta ndihmojë grupin e hetimit. Ndërkaq në heshtje kanë kaluar këto ditë pranë familjes Xhindi, e cila mban dyert hapur për të pritur miq e të afërm që nuk kanë munguar në këto ditë të vështira. m.r