E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtari i Departamentit të Shtetit: Mbështesim pavarësinë e Prokurorisë

 

TIRANE – Ndihmës-zëvendës/sekretari amerikan i Shtetit Stjuart Xhons zhvilloi dje një takim me kryeprokuroren Ina Rama. Në takimin ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Tiranë Uidhers, sipas burimeve të organit të akuzës, zyrtari i Departamentit të Shtetit shprehu mbështetjen e Qeverisë së SHBA në funksion të rritjes së pavarësisë së institucioneve shqiptare dhe Prokurorisë së Përgjithshme në veçanti. “Ndihmës zëvendës/sekretari i Shtetit amerikan Stjuart Xhons shprehu mbështetjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në funksion të rritjes së pavarësisë së institucioneve shqiptare dhe Prokurorisë së Përgjithshme në mënyrë të veçantë, si një komponent i standardeve të kërkuara për një vend anëtar të NATO-s, si dhe për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, kryeprokurorja Ina Rama ka shprehur falënderime në adresë të zyrtarëve të SHBA për mbështetjen që Qeveria amerikane ka dhënë për Prokurorinë Shqiptare. “Prokurorja e Përgjithshme siguroi për angazhimin e të gjitha strukturave të institucionit që ajo drejton, për zbatimin rigoroz të ligjit në funksion të detyrimeve kushtetuese”, sqaruan burimet nga zyra e kryeprokurores Ina Rama. Drejtuesja e organit të akuzës, sipas burimeve zyrtare, ka vlerësuar bashkëpunimin ndërkombëtar si një nevojë e domosdoshme në luftë kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Duke iu referuar krijimit të njësive Task-Force Antikorrupsion në gjashtë rrethe, pak ditë më parë me ndihmën e SHBA, Prokuroria e Përgjithshme Ina Rama vlerësoi ndihmën e dhënë nga qeveria e SHBA, nëpërmjet mbështetjes financiare për ngritjen e njësive të reja rajonale Task Force. Drejtuesja e organit qendror të akuzës ka shprehur vlerësimin e saj edhe për ndihmën e dhënë nga pala amerikane nëpërmjet asistencës së ofruar nga zyra e OPDAT për prokurorët dhe oficerët e këtyre njësive në luftë kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.                           tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›