E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria Berisha-Meta do thellojë krizën

Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i PS-së tha se u kurorëzua një maskaradë zgjedhore, e cila ka në themelin e saj krimin elektoral


TIRANË - Dasmë e kryeplakut të politikës së vjetër me nusen e re të xhuvelizmit. Ky ka qenë përkufizimi, që kreu i selisë rozë, Edi Rama, i ka bërë dje marrëveshjes së nënshkruar mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për të bashkëqeverisur në katër vitet e ardhshme.


Në një dalje të posaçme për mediat, kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, duke komentuar zhvillimet politike kryesisht në kampin e djathtë dhe procedurat për formimin e qeverisë së re, ka sulmuar ashpër dy kundërshtarët e tij politikë Berisha dhe Meta, si trafikantë të vullnetit të shqiptarëve.


"Në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, u kurorëzua një maskaradë zgjedhore, e cila ka në themelin e saj krimin elektoral dhe ka për fytyrë të saj pazarin e hershëm dhe të paralajmëruar prej nesh të Sali Berishës me Ilir Metën, i cili besoj kreu veprën më shembullore të mashtrimit publik, duke marrë 83 mijë vota në emër të çlirimit të shqiptarëve nga Sali Berisha, dhe duke i përdorur ato vota për t'u ulur në prehrin e Sali Berishës", - tha Rama në fjalën e vet. Në këto kushte, ka theksuar Rama, kur shqiptarët kanë votuar majtas dhe vota e tyre ka kaluar djathtas, nuk mund të ketë institucione legjitime, për rrjedhojë dhe Parlament dhe qeveri legjitime.


Madje, për socialistët, një situatë e tillë mund të sjellë për shqiptarët veçse pasiguri në të gjitha aspektet, pasi siç ka deklaruar edhe Rama, qeverisja e dalë nga kjo marrëveshje nuk mund të ofrojë asgjë, por vetëm do të rritë fitimet dhe përfitimet e këtij grushti njerëzisht të bashkuar për të vijuar plaçkitjen e nisur të Shqipërisë.


"Dua të përsërit që nga ky pazar dhe mbi themelet e kësaj maskarade zgjedhore nuk mund të lindë asgjë tjetër, përveçse një qeverie, e cila do të thellojë krizën e demokracisë, krizën e shtetit të së drejtës, krizën ekonomike", - u shpreh më tej Rama.


Duke u ndalur tek vendimi i LSI-së për të kaluar djathtas në qeverisje me PD-në, shefi i selisë rozë, duke e konsideruar këtë akt si mashtrim të elektoratit, ka theksuar se kjo ka thelluar edhe më tej krizën e besimit të qytetarëve tek politika.


E, natyrisht, në këtë konferencë për shtyp, Rama ka shfrytëzuar rastin për të komentuar edhe deklaratën e komisionerit të lartë të BE-së, Oli Rehn, lidhur me zgjedhjet, duke u shprehur se shqiptarët nuk u futën në zgjedhjet e 28 qershorit për të pasur një proces më të mirë se ata të mëparshmit, por për të pasur zgjedhje sipas standardeve të përcaktuara nga vetë ndërkombëtarët.


"Ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse ne nuk luftuam për zgjedhje më të mira se të kaluarat, por për t'i dhënë fund asaj vazhde të shëmtuar zgjedhjesh të kërcënuara, nën trysni dhe abuzuara.


Për t'ju dhënë shqiptarëve dinjitetin dhe lirinë që buron nga dinjiteti dhe liria e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 28 qershorit nuk patën dinjitet dhe liri", - tha Rama.


Për të gjitha këto arsye, Partia Socialiste është e bindur se është koha kur të gjithë opozitarët e vërtetë, përfshi edhe ata që besuan tek Ilir Meta, por që kundërshtuan një marrëveshje të tillë, duhet të bashkohen me të për të bërë të mundur nxjerrjen nga skena politike të asaj që socialistët shpesh e quajnë si "politikë të vjetër".


"Ky është momenti për t'u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të të gjitha atyre që sinqerisht e ndershmërisht besuan tek Ilir Meta, në emër të asaj çka ai premtoi, që të bëhej pjesë e familjes së madhe politike të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj.


Është koha për t'u bërë të gjithë bashkë kundër kësaj krushqie të turpshme që do t'u kushtojë shumë shqiptarëve", - përfundoi kryesocialisti Edi Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›