E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: 57 vite burg për grupin e "Ben Çamit"

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 57 vite burg për grupin e trafikut të drogës të kryesuar nga Lutfi Shabani, i njohur ndryshe si "Ben Çami". Prokurorët Adnan Xholi dhe Edvin Kondili kanë kërkuar dënimin e Lutfi Shabanit me 14 vjet burg, Isein Nasufit me 10 vjet, Dritan Gjurës me 8 vjet, Nadrit Istrefit me 8 vjet, Françesk Shkambit me 8 vjet e 6 muaj dhe Arif Kurtit me 8 vjet e 6 muaj. Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke dërguar në Itali dhjetëra kilogramë drogë. Aktet e këtij procedimi bëjnë fjalë në lidhje me materialet hetimore, të cilat janë dërguar nga autoritetet gjyqësore italiane dhe më konkretisht nga Prokuroria e Milanos, sipas së cilës disa shtetas shqiptarë, në bashkëpunim mes tyre, kanë trafikuar në drejtim të Italisë sasi të ndryshme lëndësh narkotike gjatë viteve 2003-2004. Këto sasi janë dërguar nga shtetasit shqiptarë. Nga hetimet e kryera, nga përgjimet telefonike, si dhe nga aktet e administruara, rezulton e provuar se ky i pandehur ka marrë pjesë në dy episode të trafikimit të narkotikëve: konkretisht në datat 11 maj 2004, të sasisë prej 15 (pesëmbëdhjetë) kilogramë lëndësh narkotike e tipit heroinë dhe rasti i dytë daton më 17 maj 2004, me sasinë prej 19 kilogramë lëndësh narkotike e tipit heroinë, e cila është dërguar nga Shqipëria në Itali nga i pandehuri Lutfi Shabani (Arben Shalaj), nëpërmjet korrierëve Feti Ramadani dhe Bashkim Hiseni. Ata kanë pasur të fshehur sasinë e lëndës narkotike në brendësi të autoveturës tip "Opel Corsa", me targa sllovene LJJ0-57U, sasi e cila do merrej në dorëzim nga ana e shtetasit Ilirjan Cipo. Më datë 24.07.2008, në orën 17:45, në aksin rrugor Golem-Kavajë, në ambientet e jashtme të hotel "Vela", nga punonjësit e policisë gjyqësore është ndaluar autovetura tip "BMË". Gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën e bagazhit janë gjetur dhe më pas janë sekuestruar 15 kg heroinë. Më datë 6 shtator 2008, në Lagjen nr.13, Plazh-Durrës, është sekuestruar sasia prej 4 kilogramësh e 196 gramësh lëndë narkotike e tipit heroinë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se bashkëpunëtor i të pandehurve është dhe shtetasi shqiptaro-amerikan, Françesk Shkambi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›