Dy vjet gjyqe pa dhënë vendim përfundimtar
05/06/2005 Shtyrjet e seancave gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë bërë të zakonshme. Aq të zakonshme, sa tani njerëzit nuk pyesin a mbarove gjyqin, por për datën e ardhshme. Në morinë e gjyqeve që shtyhen pambarimisht, është ai që lidhet me padinë penale kundër gjashtë arkëtarëve që akuzohen për shpërdorim detyre dhe ai kundër të pandehurit Bernard Martinaj. Gjyqi i parë është ende në fazën kur ekspertët duhet të përcaktojnë saktë se kush i ka firmosur faturat për vjedhjen e parave nga arka. Ndërsa procesi i dytë është më i ngatërruar. Bernard Martinaj me vendim gjykate është ekstraduar në Amerikë, atje ku ka edhe një proces tjetër të hapur. Ndërkohë, Gjykata e Lartë e ka rrëzuar vendimin e ekstradimit, duke e rikthyer për gjykim në Shkallën e Parë. Një paradoks. Ndërsa Bernard Martinaj tani ndodhet në Amerikë duke vuajtur një dënim për vrasje, gjykata e Tiranës vazhdon të shqyrtojë kërkesën për mosekstradimin e tij. Për këtë qëllim janë zhvilluar 39 seanca gjyqësore, të cilat nuk kanë dhënë një vendim. Seanca e parë ka qenë në datën 15 korrik 2003. Pra, janë bërë dy vite seanca gjyqësore dhe ende nuk është dhënë një vendim që të përcaktojë fatin e Bernard Martinaj. Nga ana tjetër, të njëjtin fat kanë edhe arkëtaret. Janë gjashtë të pandehur, të cilët presin nga dita në ditë të mësojnë fatin e tyre. Ndoshta për to shtyrja e procesit është në favor, por përfaqësuesi i Prokurorisë e ka komentuar një dëm të madh. Për të pandehurit Abaz Elezi, Anila Agalliu, Bukurije Merkoçi, Liljana Hidi, Mirela Ramaj dhe Tefta Mato, janë zhvilluar 38 seanca gjyqësore, që nga data 11 shtator 2003, kur ka qenë edhe fillimi i gjykimit. Në gjykatë shtyrjet komentohen si të zakonshme. Arsyet janë të ndryshme. Një seancë nuk paraqiten dëshmitarët, një tjetër të pandehurit. Por nuk mungojnë rastet kur në procesverbal shënohet shtyrja e procesit për shkak të prokurorit apo mungesës së anëtarëve të trupit gjykues.