E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata siguron provën për gjobëvënësit

05/06/2005  TIRANË – Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti dje në gjykatë kërkesën për sigurimin e provës ndaj katër të pandehurve bashkëpunëtorë në gjobëvënie. Kërkesa e paraqitur u depozitua në zyrën e gjyqtarit Xhelal Elezi, i cili ka caktuar edhe datën për të bërë ballafaqimin. Ndërsa është bërë kallëzim nga pronarët e dyqaneve dhe farmacive në polici e në prokurori, tashmë është gjykata ajo që do të depozitojë në dosje provën kryesore. Sipas burimeve nga gjykata, janë tre pronarë dyqanesh, të cilët do të ballafaqohen në gjykatë me të pandehurit Andi dhe Altin Ismailati, dhe dy rojet, Jani Tafa e Doris Hoxha. Të pandehurit e kanë kundërshtuar akuzën, por marrja e provës në gjykatë do të jepte një mbështetje për palën e dëmtuar. Kështu, pronarët, të cilëve u janë marrë paratë për një kohë të gjatë, tashmë do të kenë mundësinë të ballafaqohen me vëllezërit Ismailati dhe dy rojet. Nga ana tjetër, para gjykatës, vetë të pandehurit në seancën për sigurimin e provës nuk kanë dhënë asnjë sqarim. Gjithçka e kanë lënë në duart e mbrojtjes. Mbi ta rëndon vepra penale e gjobëvënies në bashkëpunim. Prokuroria para Krimeve të Rënda pretendoi se kishte provat e mjaftueshme për të lënë të pandehurit në burg pa afat, por avokatët kundërshtuan, duke thënë se gjithçka është e montuar. Si provë është paraqitur një biçak, i cili ende nuk i është nënshtruar aktit të ekspertimit për të përcaktuar nëse ka apo jo gjurmë gishtash. Sipas akuzës, dy vëllezërit kanë qenë pronarë të një parkingu në afërsi të hotel "Diplomatit". Për një periudhë të vazhdueshme, ata në bashkëpunim me rojet kanë kërcënuar disa pronarë dyqanesh dhe farmacie. U janë kërkuar para. Në dosjen penale ndodhen kallëzimet e bëra nga 9-të të dëmtuar. Vëllezërit Ismailati kanë qenë të punësuar si shoferë në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Financave. Ndërsa kanë mbi shpinë akuzën e gjobëvënies së vazhdueshme, katër të pandehurit, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, kanë keqtrajtuar një pronar. Ata i kanë kërkuar paratë dhe kur nuk e kanë marrë shumën e duhur, e kanë goditur. Para gjykatës akuzën e rrahjes së të pandehurit nuk e kanë pranuar. Ndërkohë që mësohet se të pandehurit, nëpërmjet avokatëve, kanë pretenduar se nuk kanë vënë gjoba, por kanë kërkuar paratë e tyre. Janë shprehur se në këtë zonë të Tiranës së Re kishin influencë mbi ruajtjen e dyqaneve dhe të makinave.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›