E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, pezullohen hetimet

05/06/2005  Pas dhjetë vjet hetimesh, dosja i përcillet Policisë Gjyqësore për plotësim me prova

Prokuroria e Përgjithshme ka deleguar në polici dosjen hetimore për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Pas rihapjes së hetimeve disa muaj më parë, me kërkesë të familjarëve, Avokatit të Popullit dhe disa organizmave joqeveritare, Prokuroria e Pwrgjithshme pezullon për të disatën herë dosjen hetimore për zhdukjen e Remzi Hoxhës, në tetor të vitit 1995. Dosja penale i është përcjellë policisë gjyqësore për kryerjen dhe zbulimin e elementëve të rinj hetimorw rreth çështjes. Kjo, pasi nuk është arritur të gjenden prova materiale nëse Remzi Hoxha ka vdekur apo jeton. Mungesa e një trupi ka bërë që hetimet të pezullohen dhe akuzat e vetme që rëndojnë mbi të dyshuarit janë ato të ushtrimit të dhunës fizike dhe të zhdukjes. Por edhe këto akuza nuk u provuan dot nga Prokuroria ndaj tre të pandehurve, që u arrestuan dhe u liruan pas mbarimit të afateve të paraburgimit.

Të akuzuarit

Drejtësia shqiptare ka dërguar disa muaj më parë në Londër gjashtë urdhërarreste për ish-drejtues të shërbimit sekret, që janë larguar shtatë vjet më parë nga Shqipëria. Sipas burimeve nga dikasteri i rendit dhe ai i akuzës, autoriteteve londineze u duhet kohë që të gjejnë dhe të hedhin në pranga personat në fjalë, të cilët dyshohet se jetojnë atje me gjeneralitete të ndryshuara. Të ikurit pas pengmarrjes dhe zhdukjes së tregtarit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, kanë pasur mundësinë të marrin lejeqëndrim në Angli, pasi nga Shqipëria u është përcjellë dokumentacioni i përshtatshëm për t’i shpallur si të “persekutuar” politikë, të përndjekur nga qeveria pasardhëse e ‘97-ës. Statusi i përfituar me nuanca politike, ka bërë që ata të kenë një mbrojtje të vendit ku gjenden, për aq kohë sa pala shqiptare të dërgojë dokumente bindëse dhe zyrtare se të kërkuarit kanë konsumuar një vepër penale në vitin 1995, ashtu siç pretendohet nga organet e Prokurorisë dhe Policisë. Të arrestuarit dhe të kërkuarit akuzohen se në tetor të 1995, kanë marrë peng e torturuar disa tregtarë shqiptaro-maqedonas, të cilët janë zhdukur. Ndërsa dy ditë më pas është edhe rrëmbyer e torturuar Ziso Kristopulli nga qyteti i Sarandës.

Hetimi

Sipas burimeve nga organi i akuzës dhe policisë, janë gjithsej nëntë të kërkuar në këtë çështje, pjesa më e madhe e të cilëve ka ikur jashtë vendit një vit pas ngjarjes. Dosja dyshohet të jetë mbyllur pas një presioni të shërbimit sekret në prokurori në ato vite. Rihapja e saj ka ardhur pas denoncimit të familjarëve të viktimave, në Shërbimin Informativ dhe tek Avokati i Popullit. Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, ka deklaruar atëherë se kanë qenë familjarët e viktimave, të zhdukurve, të cilët janë ankuar në SHIK. Sipas Klosit, pas kësaj janë përcjellë materialet në vitin ‘98-të në Prokurori, sepse në SHIK, të gjitha materialet rreth kësaj ngjarje ishin zhdukur dhe çdo gjë është filluar nga zero.

Pengu

Tregtarët shqiptaro-maqedonas, njëri prej të cilëve quhet Remzi Hoxha, janw zhdukur në ‘95-wn dhe adresa e tyre nuk është gjetur ende. Nuk dihet në janë gjallë apo të vdekur, dhe kërkimet kanë gjetur vetëm qelitë e torturave. Dosja kaloi në Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas veprimeve hetimore të rivlerësuara, Prokuroria vendosi arrestimin e Arben Sefgjinit, ish-shefi i shërbimit sekret për Tiranën dhe Budjon Meçe e Avni Koldashi, dy inspektorë të SHIK-ut, të cilët u liruan pas mbarimit të afateve të paraburgimit. Ndërkohë që gjashtë të tjerët janë shpallur në kërkim, ndonëse ata ishin larguar kryesisht në Angli. Në seancat e para hetimore që janë zhvilluar, pohohet se dy nga të prangosurit kanë pranuar se e kanë kryer veprimin, por e kanë bërë për shkak të detyrës, ndërsa kryetari Arben Sefgjini, nuk ka pranuar asgjë nga pretendimet e Prokurorisë.

Kronologjia

21 tetor 1995

Tre punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar në Tiranë në punishten e duraluminit "Albtros" rrëmbejnë tregtarin kosovar Remzi Hoxha. Rrëmbyesit, pasi e lenë diku tregtarin kthehen me makinat e tyre dhe kontrollojnë makinën e Remziut

21 tetor 1995

Punëtorët e punishtes së dyerve dhe dritareve duralumin dyshojnë, pasi rrëmbyesit kishin qenë të armatosur. Kontrolli në makinë dhe zhdukja e Remziut i detyron të denoncojnë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në Komisariatin numër 3

28 tetor 1995

Sevdija, bashkëshortja e biznesmenit të zhdukur, kallëzon në Prokurorinë e Tiranës zhdukjen e burrit. Ajo i shkruan letër kreut të Prokurorisë së rrethit, Adnand Xhelili, ku shprehet se, nëse burri i saj ka bërë faj të dënohet, por kërkon që nesë ai ka vdekur t'i jepen eshtrat

Nëntor 1995

Hetuesit thonë se makina me targa TR 2449 C e përdorur në rrëmbimin e Remzi Hoxhës i përket Shërbimit Informativ. Prokuroria ngre dyshimet se biznesmeni është çuar në një bazë të SHIK-ut në Lezhë dhe është rrahur për vdekje. Dy makinat e tjera janë të paidentifikuara

Janar 1996

Pas një letre të dërguar nga gruaja e Remzi Hoxhës, kreu i atëhershëm i shtetit, Presidenti Sali Berisha, kërkon të dhëna nga shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Ai thotë se nuk kishte dijeni për ngjarjen

15 shkurt 1996

Familja Hoxha i shkruan një letër Kryetarit të Parlamentit, Pjetër Arbnori, i cili pwrgjigjet se "u interesova pranë Drejtorisë së SHIK-ut dhe më thanw se nuk kishin dijeni për një rast të tillë. Ata janë duke e hetuar çështjen dhe deri tani nuk është arritur në asnjë përfundim zyrtar"

Korrik 1998

Dosja penale për zhdukjen e Remzi Hoxhës mbërrin në polici, pasi Prokuroria pezulloi hetimet për mungesë provash. Marrja në pyetje e punonjësve të SHIK-ut, familjarëve të të zhdukurit dhe punonjësve të tij, nuk hodhi dritë mbi ngjarjen

Mars 2003

Avokati i Popullit i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të rihapë dosjen e rrëmbimit të Remzi Hoxhës. Pas rifillimit të hetimeve, në datën 21 maj 2003 arreston Avni Koldashin, Arben Sefgjinin dhe Budion Meçajn. Tre ish-punonjës të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin e 40-vjeçarit

23 nëntor 2003

Lirohet Avni Koldashi, ish-punonjës i SHIK-ut, një nga të arrestuarit e 21 majit 2003, i akuzuar së bashku me Sefgjinin dhe Meçen për ngjarjen e tetë vjetëve të shkuar. Pas mbarimit të afateve të paraburgimit lirohen edhe dy të tjerët

Tetor 2004

Rihapen hetimet hetimet nga Prokuroria e Përgjithshme pas apelit të familjarëve

Mars 2005

Pezullohen hetimet për mungesë provash. Dosja i kalon policisë gjyqësore për plotësim me prova

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›