E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafikoi gruan në Itali, dërgohet në burg pa afat

05/06/2005  TIRANË- Dashamir Topallaj është nga fshati Tapizë i rrethit Tiranë. Që nga viti 1999, së bashku me gruan e tij niset drejt Italisë. Ndërsa dje ka përfunduar në masën e arrestit burg pa afat. Është pikërisht udhëtimi drejt Italisë ai që i solli këtë fat. Pavarësisht se nuk e ka pranuar akuzën e trafikimit të femrave për prostitucion, ai ka përfunduar në burg. Gruaja e tij, emrin e së cilës nuk po e përdorim, e ka kallëzuar se për dy vite me radhë është trafikuar pa marrë asnjë lek. Ndërsa është trafikuar nga viti 1999 deri në vitin 2001, bashkëshortja e Dashamir Topallaj, kallëzimin e ka bërë vetëm tri ditë më parë. Burime nga organi i akuzës dje në gjykatë u shprehën se i pandehuri kishte lënë Italinë dhe për t'i shpëtuar prangave ishte fshehur. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij ishte arrestuar nga policia italiane, pasi u kap me dokumente të falsifikuara. Në gjykatë, i pandehuri nuk e pranoi veprën penale, tha se gruaja ia ka bërë nga inati, pasi ai ishte divorcuar disa kohë më parë. Por kallëzimi në dosjen penale bëri që prokurori të ishte i prerë në kërkesën e tij para gjyqtares Farie Buda.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›