E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vrasjet që tronditën Kurbinin dhe Durrësin

Durrës, sherr për volumin e lartë të muzikës në lokal, plumba 30-vjeçarit

Tiranë – Dy vrasje që ndodhën në harkun e disa orëve kanë tronditur Kurbinin dhe Durrësin. Ngjarja e parë lidhet me ekzekutimin në orët e para të mëngjesit të djeshëm në plazhin e Hamallajt në Durrës, i Marenglen Jahoelezi, 30 vjeç. Disa orë më pas një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Shkopet të Kurbinit teksa u qëllua me armë zjarri 40-vjeçari Alfred Gjeçi.
Durrës
Një 30-vjeçar u ekzekutua dje në fshatin Hamallaj të Durrësit. Burime nga policia e qytetit bregdetar thanë për gazetën “Albania” se vrasja ndodhi pas një sherri banal për volumin e lartë të muzikës që vinte nga një kioskë-ambulante. Viktima u identifikua si Mariglen Jahoelezi, 30 vjeç, banues në Tiranë. Po sipas policisë ai dyshohet të jetë ekzekutuar nga 53-vjeçari Zyhdi Dushku, banues në fshatin Hamallaj, ish-punonjës policie i dalë në pension. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Hamallajt, 30 km në veri të Durrësit, ku viktima dhe autori i krimit administronin nga një kioskë-rulot ambulante si bar-restorant. Sipas policisë grindjet mes viktimës dhe vrasësit kishin nisur dy ditë më parë, kur ata ishin zënë për shkak të volumit të lartë të radios në lokalin e 53-vjeçarit Dushku. Mesnatën e së hënës, kur viktima i është afruar rulotës së vet, është pritur me breshëri plumbash nga 53-vjeçari. Mariglen Jahoelezi u dërgua i plagosur në Spitalin e Durrësit, por më pas nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda duke gjetur vdekjen pak kohë më vonë. Gjatë kontrollit në vendngjarje është gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale një automatik prodhim kinez, një krehër me 18 fishekë, si dhe pesë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Vetëm dy orë pas vrasjes policia arrestoi autorin e dyshuar, Zyhdi Dushku nën akuzat; “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Kurbin
Një burrë ka mbetur i vrarë kurse kunati i tij është arrestuar si i dyshuari vetëm i ekzekutimit, për motive të dobëta, informoi policia. Ngjarja ndodhi dje në mesditë në fshatin Shkopet të rrethit Kurbin. Viktimë e krimit është Alfred Gjeçi 40- vjeçar, nga fshati ku ndodhi ngjarja. Autor i dyshuar është adashi i viktimës, Alfred Sefgjini, nga i njëjti vendbanim, emigrant prej kohësh, i kthyer së fundi në Shqipëri. Policia e mbërritur pak minuta pas vrasjes në vendin e krimit tha se ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin e viktimës në sy të 3 fëmijëve. Nga hetimi doli se i ndjeri Alfred Gjeçi ishte ndarë para pak kohësh nga motra e autorit të dyshuar të krimit dhe policia po lokalizon pistën e sherrit për motive të dobëta me pasojë vrasjen. Autori i dyshuar i vrasjes është arrestuar menjëherë nga policia.

Shkodër, kapet 28-vjeçari i kërkuar për vjedhje

Shkodër - Kapet nga policia, dy ditë pasi kishte kryer veprën penale të vjedhjes, një 28-vjeçar nga qyteti i Shkodrës. Sipas komunikatës së policisë, i arrestuari është Markolin Prendi, lindur në lagjen “Danjel Matlia” dhe banues në lagjen “Perlat Rexhepi” të qytetit Shkodër, i dënuar dhe më parë për veprën penale të vjedhjes. Më 16 gusht, rreth orës 14:00, në lagjen “Skënderbeg”, ky shtetas ka hyrë në ambientet e Maternitetit Shkodër, pikërisht te dhoma që përdorej si gardërobë nga punonjësit e maternitetit, dhe ka vjedhur në dollap 250 euro dhe disa sende të tjera personale të këtyre punonjësve. Materialet në ngarkim të shtetasit Markolin Prendi do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “vjedhjes”.

Plagoset e moshuara, e sulmoi një 34-vjeçar në Korçë

Korçë – Një grua në moshë të thyer ka mbetur e plagosur në qytetin e Korçës pas sulmit të dhunshëm nga një djalë, për shkaqe ende të paqarta, informon policia. Denoncimi është bërë një ditë më parë nga Nexhmije Plasa, lindur në Vranisht të rrethit Devoll dhe banuese në Lagjen Nr. 10 Korçë, 53 vjeçe, thanë burime zyrtare policore. Pas denoncimit, policia konfirmoi dje arrestimin e Oltion Paravani, 34 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Korçës, me akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”. Sipas kallëzimit penal, Nexhmije Plasa gjendej afër banesës së saj ku ka pasur një konflikt për motive të dobëta me Oltion Paravanin dhe, si pasojë, i janë shkaktuar dëmtime fizike.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›