Topalli merr pjesë në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Qafë-Valmirit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë dje në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar me rastin e 60-vjetorit të masakrës së 17 gushtit të vitit 1949, e njohur si Masakra e Qafë-Valmirit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe deputetët e qarkut të Mirditës, Edi Paloka dhe Mark Marku, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave dhe të Institutit të të Përndjekurve Politikë e të tjerë. Kryetarja Topalli shprehu respektin dhe mirënjohjen e saj për të gjithë burrat e gratë e Mirditës, të cilët u vranë nga regjimi komunist për shkak të vendosmërisë së tyre në besimin te liria. “Unë gjithmonë kam vlerësuar një edukatë të fortë, një vlerë të madhe: forcën për të falur. Është gjëja më e madhe. I fortë dhe me kurajë është ai që fal dhe që s’mendon kurrë për diçka tjetër dhe ju e keni bërë këtë më shumë se gjithkush tjetër me një fisnikëri të paparë, me një forcë dhe kurajë të jashtëzakonshme. Kjo është gjëja më e mirë”, - tha Topalli në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni përkujtimore. Masakra e Qafë-Valmirit njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të regjimit komunist. Më 17 gusht të vitit 1949 regjimi komunist ekzekutoi 14 persona dhe internoi me qindra familje mirditore për shkak të vrasjes së deputetit dhe sekretarit Politik të Partisë në Mirditë, Bardhok Biba. Gjatë fjalës së saj Topalli ka akuzuar Mark Gjon Markajn për masakrën e Qafë-Valmirit, ndërsa është shprehur se kjo masakër nuk ka qenë e rastësishme. “Nuk ka qenë rastësi që vëmendja, terrori, dhuna më e madhe është ushtruar në Mirditë. Ishte zona që qëndroi më fort, më gjatë dhe ndaj së cilës regjimi nuk mundi të gjente zgjidhje tjetër, por veçse të provonte më ekstremen, t’i përçante njerëzit, ta përçante krahinën dhe të tentonte t’i vendoste njërin kundër tjetrit”, - është shprehur Topalli.
19 Gusht 2009