E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-LSI do të nisin nesër negociatat zyrtare për qeverinë e re

Berisha pritet t’u japë ministri partive parlamentare. Partitë e tjera të koalicionit do të marrin poste zëvendësministrash

Eljona Ballhysa
Ashtu sikurse është njoftuar nga drejtues të ndryshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, më datë 20 gusht pritet të nisin negociatat zyrtare midis dy partive, PD-së dhe LSI-së, për krijimin e qeverisë së re. Burimet nga të dyja partitë bëjnë të ditur se negociatat do të zhvillohen midis krerëve të partisë. Pra kryeministri Berisha dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, do të jenë ata që do të ndajnë tortën e pushtetit. Deputetë të Partisë Demokratike bëjnë të ditur se nuk janë në dijeni të bisedimeve dypalëshe. Sipas tyre, pritet që Berisha t’i njoftojë për kabinetin e ri vetëm një ditë para publikimit në media. Ndërkaq, jo zyrtarisht, përfaqësues të të dyja partive politike bëjnë të ditur se fill pas përfundimit të zgjedhjeve, Berisha dhe Meta kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm përsa i përket ndarjes së posteve ministrore dhe shkrirjes së programeve të dy partive në një të vetëm. Ajo që dihet me siguri është se LSI-ja do të ketë një pjesë të mirë të tortës së pushtetit të PD-së dhe kreu i kësaj partie do të jetë vetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Burimet bëjnë të ditur se përveç LSI-së poste ministrore do të marrin partitë aleate të PD-së që kanë fituar një mandat deputeti. Ndërsa partitë e tjera joparlamentare pritet të përfaqësohen me poste zëvendësministrash dhe në nivel drejtorësh.
Ministrat
Aleatët tradicionalë, siç janë republikanët, kërkojnë portofol ministror, por dhe dy poste zëvendësministrash, pa llogaritur këtu postet në nivel drejtorish. Kjo është konfirmuar nga drejtues të lartë të PR-së, të cilët, madje, janë të interesuar të vazhdojnë të drejtojnë Ministrinë e Shëndetësisë. Një aleat i ri që i është shtuar koalicionit të PD-së dhe që në këto zgjedhje rezultoi fituese është Partia për Drejtësi dhe Integrim, që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri. Edhe kjo parti synon një post ministror. Këtë kërkesë, kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, e mbështet në bisedën paraprake të zhvilluar me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, gjatë firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit para dhe paszgjedhor. Në një prononcim për gazetën “Albania”, Muhedini tregon se para zgjedhjeve kishte rënë dakord me Berishën se PDI-ja do të merrte post zëvendësministri në rast se nuk fitonte asnjë mandat deputeti. Por PDI-ja arriti që në zgjedhjet e 28 qershorit të merrte një deputet, ndaj dhe kërkesa e tyre shkon përtej postit të zëvendësministrit. Ndërsa LSI-ja mësohet se synon disa poste ministrore. Vetëm pak ditë më parë, kryetari i Komitetit Drejtues të LSI-së, Edmond Haxhinasto, u shpreh se prioritetet e LSI-ja lidhen me tri fusha, siç janë arsimi, shëndetësia dhe ekonomia. Një deklaratë e tillë e Haxhinastos nënkuptoi dhe tri ministritë që pritet të marrë LSI-ja në kabinetin e ri qeveritar.
Zëvendësministrat
Pesë nga 17 partitë e koalicionit kërkojnë përfaqësim në qeverinë e re në nivel zëvendësministrash. Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, është shprehur se PAD-së i takon një përfaqësim i tillë dinjitoz për shkak të vlerave historike që ka kjo parti, pavarësisht se rezultati në zgjedhje nuk ishte ai që pritej. PAD-ja nuk arriti të fitonte asnjë mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit.
Megjithëse nuk kanë marrë mandate deputetësh, post zëvendësministri në qeverinë e re pretendojnë dhe partitë të tjera të koalicionit, siç janë Bashkimi Liberal Demokrat me kryetar Arian Starovën, Lidhja Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nikollë Lesin, Partia Agrare Ambientaliste me kryetar Lufter Xhuvelin, si dhe Partia Lëvizja e Legalitetit me kryetar Ekrem Spahiun. Për një kërkesë të tillë krerët e këtyre partive bazohen në aktmarrëveshjen e nënshkruar me PD-në para zgjedhjeve, e cila parashikon bashkëpunim paszgjedhor në rast fitoreje të koalicionit. Ndërsa partitë e tjera të këtij koalicioni synojnë bashkëpunim në nivel drejtorish. Gjithsesi, pritet që kjo enigmë të zgjidhet në ditët në vazhdim që çelin siparin e negociatave për kabinetin e ri qeveritar.
Sikurse është bërë e ditur, qeveria e re, që pritet të krijohet, do të quhet Qeveria e Integrimit Europian. Ajo është qeveria e tretë e përbashkët midis të majtëve dhe të djathtëve, pas Qeverisë së Stabilitetit në vitin 1991 dhe asaj të Pajtimit Kombëtar në vitin 1997.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›