Protesta ne Amerike per deportimin e studentes shqiptare
Herta Llusho, 19-vjeçarja shqiptare, deklaron se ndihet amerikane, por autoritetet e SHBA-ve kanë vendosur ta deportojnë në Shqipëri. Më shumë se 100 persona kanë protestuar të hënën në mbrëmje në kishën “Shpresa e komunitetit” në Detroit të SHBA-ve kundër deportimit në Shqipëri të studentes shqiptare Herta Llusho. Media amerikane bënte të ditur dje se studentja, bashkë me familjen, kishte shkuar në SHBA me vize turistike në vitin 2001. Më pas asaj i është mohuar kërkesa për azil politik dhe tashmë Llusho me nënën e saj duhet të largohen nga Amerika drejt Shqipërisë. Afati për largimin e saj është dita e sotme, e mërkurë, 19 gusht 2009. Vetë vajza, në një video në faqen elektronike “Youtube”, shpreh arsyet e saj dhe përpiqet të tregojë se përse ajo duhet të qëndrojë në SHBA. Ajo thotë se e ndien veten më shumë amerikane, madje më shumë i mendon fjalët në anglisht, sesa në shqip. Herta shton se beson në vlerat e një vendi si SHBA dhe shpreson që ëndrra e saj për të përfunduar studimet dhe për të qëndruar në SHBA të bëhet realitet.
Në mbështetje të studentes janë jo vetëm komuniteti shqiptar në Detroit, por edhe studentë. Avokatët e kësaj çështjeje argumentojnë se vajza nuk duhet të largohet për shkak të potencialit të saj intelektual. Studentët e talentuar meritojnë të qëndrojnë dhe të përfundojnë studimet e tyre, argumentojnë juristët. Nga ana e saj, Policia e Detroitit, e pyetur nga mediat vendase, nuk pranon të komentojë, ndërsa është e vendosur për të kryer procesin e deportimit ditën e mërkurë. Një peticion i është dërguar Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe pikërisht drejtuesit Xhenet Napolitano, por edhe kongresistëve, përfaqësues të Detroitit. Peticioni është firmosur nga rreth 2370 veta, edhe pse duhen 3500 firma, ndërkohë që sot skadon dhe afati përfundimtar për deportimin e Llushos nga Shtetet e Bashkuara. Me gjithë mbështetjen që shumë persona dhe qytetarë amerikanë i kanë dhënë vajzës shqiptare, shumë pak shpresa kanë ngelur për të rikthyer vendimin për deportimin e saj. Autoritetet amerikane prej disa vitesh janë shumë rigoroze në drejtim të personave që kalojnë afatet e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara.
19 Gusht 2009