E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunitetet fetare, letër Berishës kundër projektligjit që lejon martesat e homoseksualëve



Projekti për martesat brenda gjinisë ka sjellë një reagim të të gjitha komuniteteve fetare në vend. Të gjitha komunitetet fetare që operojnë në Shqipëri kanë nënshkruar një letër që do t’ia dërgojnë kreut të qeverisë, ku shprehin kundërshtitë e tyre për këtë projektligj. Letra është nënshkruar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, në të cilin bëjnë pjesë krerët e katër komuniteteve fetare tradicionale në Shqipëri dhe ditën e enjte, më 20 gusht, do t’i dorëzohet zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha. Nënshkruesit e letrës janë Haxhi Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman; Anastas Janullatos, kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Rrok Mirdita, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare dhe Haxhi Dede Reshat Bardhi, kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. “Jemi në kundërshtim të plotë me iniciativën e qeverisë për hartimin e ligjit për njohjen e martesave homoseksuale në Republikën e Shqipërisë dhe shprehim me indinjatë shqetësimin tonë për rrezikun që i kanos ky ligj shoqërisë shqiptare”, - nis letra e KNFSH-së. “Kombi ynë ka respektuar bërthamën e shoqërisë; familjen. Pavarësisht vështirësive të shumta që po kalon ajo në këto vite tranzicioni dhe ndryshimesh të mëdha social-ekonomike, familja shqiptare ka ditur ta ruajë karakterin e saj të shenjtë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në mbrojtje të identitetit, dinjitetit dhe mirëqenies kombëtare”, - vazhdon më tej letra. Iniciativën për martesat mes homoseksualëve drejtuesit e komuniteteve fetare thonë se “e vlerësojmë si sulm për dobësimin e familjes natyrale midis një mashkulli dhe një femre, e cila është dhuratë e Zotit dhe përbën bërthamën më të fortë të shoqërisë shqiptare”. “Njëzëri shprehim vullnetin tonë të përbashkët në mbrojtje të familjes, të ardhmes së fëmijëve tanë dhe vlerave të saj, ashtu siç na mëson feja dhe të parët tanë, dhe bëjmë thirrje për heqje dorë nga miratimi i këtij projektligji”, - theksojnë drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri. Me tej ata këshillojnë Berishën se “ne duhet të bëjmë atë çka është e drejtë, jo për sytë e botës ‘moderne’, por përpara Perëndisë dhe vetëm atëherë mund të presim që Ai t’i dëgjojë lutjet tona dhe të na bekojë në rrugën e përparimit e zhvillimit të vërtetë”.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›