E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: “Qeveria, përgjegjëse për bilancin tragjik të të vdekurve”

PS-ja akuzon qeverinë se nuk ka marrë masa për sigurinë e jetës së qytetarëve

Partia Socialiste akuzon qeverinë për numrin e madh të vrasjeve, plagosjeve dhe aksidenteve gjatë këtyre ditëve në vendin tonë. Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, është shprehur dje gjatë një deklarate për shtyp se qeveria është përgjegjëse për këtë bilanc tragjik të të vdekurve për shkak se nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Sipas Tahirit, kur kanë kaluar disa muaj nga vrasja e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, nuk ka ende një autor për këtë vrasje. Më tej ai përmendi dhe masakrën e Durrësit, ku humbën jetën katër punonjës të Policisë së Shtetit. Sipas Tahirit, ende nuk kanë dalë përgjegjësit për këtë operacion të dështuar.
Deklarata
“Shprehim shqetësimin e Partisë Socialiste për mungesën e theksuar të sigurisë së jetës në vend, por gjithashtu për mungesën e theksuar të masave parandaluese dhe mbrojtëse që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare. Kronikat e lajmeve janë të mbushura me vrasje, vetëvrasje, plagosje, aksidente rrugore, aksidente në punë, pra të gjitha ato ngjarje të përditshme ku humbasin jetën nëna, fëmijë, burra, gra, të moshuar, në gëzimin e një dasme, në plazh, në punë, në rrugë, në shtëpi e kudo. Tashmë, muaj pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ngjarje ende pa autor e pa përgjegjës, ngjarjes tragjike të para pak ditëve ku humbën jetën 4 efektivë të Policisë, dëgjojmë e shohim ngjarje të rënda e të tjera vetëm në dukje më pak të rënda, por njëlloj tragjedi të mëdha individuale dhe shoqërore për ata që humbasin jetën, familjet e tyre dhe për mbarë shoqërinë”, - është shprehur Tahiri, ndërsa ka shtuar se numri i qytetarëve shqiptarë që kanë humbur jetën këto ditë flet për një bilanc lufte dhe për këtë përgjegjëse kryesore është vetëm qeveria. “Konflikti për tokën, për gardhin, për bagëtitë, për gjakmarrje apo hakmarrje, aksidenti në rrugë, në plazh, në punë, e çdo motiv tjetër i shpallur nga qeveria, nuk përbën arsyen e vërtetë për këtë bilanc lufte. Varfëria, skamja, uria, mungesa e mundësive për të jetuar, pabarazia sociale, mungesa e perspektivës, mungesa e rregullave ose mungesa e vullnetit për t’i zbatuar ato në mënyrë të barabartë e joselektive, injorimi nga shteti e ndonjëherë injorimi edhe nga ata vetë që janë të ngarkuar të garantojnë integritetin e jetës së qytetarëve, janë shkaqet e vërteta që bëjnë me përgjegjësi të plotë qeverinë e paaftë të Sali Berishës, e cila, në vend që të mbrojë me çdo çmim jetën e qytetarëve, ka vendosur një çmim të rëndë në kurrizin e tyre për interesat e saj të ngushta e korruptive, një çmim që e paguajnë me jetën e tyre ata që ikin dhe me sakrifica të përditshme të tjerët që janë ende gjallë”, - është shprehur Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se pushteti “politik dhe financiar i Sali Berishës vlen sot më shumë se jeta e qindra qytetarëve të pafajshëm që humbasin jetën për shkak të injorancës dhe paaftësisë së kësaj qeverie që tashmë është katandisur vetëm në konstatimin dhe regjistrimin e viktimave në vend që të marrë masat e domosdoshme për të garantuar jetën”. Tahiri ka akuzuar për këtë situatë kreun e qeverisë, Sali Berisha, i cili, sipas tij, kujdeset vetëm për kolltukun e kryeministrit dhe jo për cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. “Për këtë situatë, Partia Socialiste bën përgjegjës të drejtpërdrejtë Sali Berishën dhe qeverinë e tij, të cilët, nga kujdesi për të ruajtur kolltukun e pushtetit e për t’u pasuruar me çdo kusht, janë verbëruar në paaftësi e korrupsion duke mohuar padrejtësisht përkujdesin dhe përkrahjen që meriton jeta e çdo shqiptari, qoftë ky i varfër apo i pasur. Njëkohësisht, bëjmë thirrje që të merren masa të menjëhershme për të parandaluar çdo rrethanë të qëllimshme ose rastësore, si dhe çdo konflikt minimal që fatkeqësisht rezulton me pasoja tragjike maksimale për jetën e qytetarëve dhe për mbarë shoqërinë”, - është shprehur Tahiri.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›