E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, godet kunatën me sëpatë: I bëri magji fëmijës



Një person u arrestua nga policia e Shkodrës, pasi goditi me sëpatë në kokë kunatën e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Nënshat të Shkodrës. Pjetër Cuku, 41 vjeç, lindur e banues në Nënshat ka goditur në kokë më sëpatë duke i shkaktuar plagë të rënda, gruas së vëllait të tij, 36-vjeçaren Ana Cuku. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të autorit me të dëmtuarën, ku Pjetër Cuku, i cili ka një fëmijë të paralizuar, ka akuzuar kunatën e tij si shkaktare të sëmundjes së fëmijës dhe ka rrëmbyer një sëpatë me të cilën e ka goditur disa herë. Kanë qenë të afërmit e tjerë ata që kanë ndërhyrë dhe kanë dërguar të dëmtuarën fillimisht në spitalin e Lezhës që është më afër se ai i Shkodrës. Më pas gruaja është dërguar në Tiranë. Policia ka bërë dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe ka mundur të kapë autorin e saj, 41-vjeçarin Pjetër Cuku, i cili akuzohet për plagosje të rëndë me dashje. Mësohet se ky ka pranuar se është ai autor i ngjarjes, duke deklaruar se kunata e tij, Ana, ishte shkaktare e sëmundjes së fëmijës së tij, pasi ajo i kishte bërë "magji". E dëmtuara ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ai është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›