Dy zjarre në zonën e pyjeve
PUKË Rikthehen rastet e zjarrëvënies së qëllimshme të pyjeve. Dy vatra zjarri kanë përfshirë brenda pak orësh sipërfaqet pyjore në afërsi të qytetit të Pukës.
Zjarri që u shfaq në afërsi të Rezervave të Shtetit është evidentuar në kohë nga zjarrfikësit e Pukës, duke u vënë brenda pak minutash nën kontroll dhe duke shmangur përhapjen e flakëve. Ndërkohë vatra e dytë e zjarrit, e cila ka përfshirë disa dynym me pyje të reja pishë është evidentuar në komunën e Qerretit. Të dy vatrat e zjarrit të shfaqura gjatë kësaj pasditeje po mbikëqyren nga Inspektorët e Policisë Pyjore.
Shërbimi Zjarrfikës në Rrethin e Pukës bëri të ditur se zjarret janë të qëllimshme, ku në njërën nga vatrat dyshohet se ka ardhur pas prerjeve të druve në mënyrë të paligjshme.
Po dje 8 hektarë me pyje janë përfshirë nga zjarri në komunën Orosh të Mirditës. Flakët janë përhapur me shpejtësi, pasi janë favorizuar edhe nga era. Edhe ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e vështirë, pasi terreni malor, nuk i ka lejuar të veprojnë në kohën e duhur. Mësohet se zjarri ka qenë aktiv prej disa orësh, ndërsa pyjet e përfshira nga flakët kanë qenë kryesisht pisha. Nuk dihet ende shkaku i rënies së zjarrit në këtë zonë.