E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra hap luftën e monedhave

Banka Qendrore shpalli planet për zhvlerësimin e frangës zvicerane, duke zhytur analistët në dyshime mbi të ardhmen e sistemit ndërkombëtar të këmbimit valutor, njoftoi dje "Financial Times".

Banka zvicerane njoftoi se do të shesë franga në këmbim të euros dhe dollarit, sepse "franga është forcuar së tepërmi gjatë muajve të fundit". Për pasojë, franga humbi 3.5% kundrejt euros brenda një dite. Media ndërkombëtare e konsideroi këtë si "hapja e kutisë së Pandorës". Tashmë, shumë vende të tjera mund ta ndjekin Zvicrën në zbatimin e politikës së zhvlerësimit të monedhës së vet në kurriz të konkurrentëve tregtarë. Vendimi i zviceranëve lehtësoi në të njëjtën kohë bankat dhe konsumatorët në Evropën Qendrore, si Hungari, Poloni e Rumani, ku huamarrja në franga ka qenë praktikë e zakonshme gjatë dekadës së fundit.

"Nëse vende të tjera do të përdorin këtë mekanizëm, një luftë e ngjashme si ajo e zhvilluar gjatë Depresionit të Madh mund ta largojë zgjidhjen e krizës aktuale, në vend që ta afrojë atë", komentoi Ulrich Leuchtman, analist te "Commerzbank".

"Me Japoninë që përballet me deflacionin, nuk është çudi që shumë shtete të imitojnë Zvicrën".

Zhvlerësimi i monedhës është një masë proteksioniste që vendet e zbatojnë në kohë krize për të bërë më të lira eksportet e veta. Për pasojë, mallrat e konkurrentëve të tyre humbasin. Edhe Japonia është në një situatë të tillë. Jeni është forcuar 8 për qind kundrejt dollarit që nga shtatori i kaluar. Arsyeja e forcimit të këtyre monedhave është tregtia e trefishtë: shumë tregtarë marrin hua në jen apo në franga, si monedha me interesa të ulëta, dhe japin hua në dollarë neozelandezë apo australianë, ku ofrohen interesa të larta. Për pasojë, franga dhe jeni japonez u forcuan.

Edhe shumë monedha të tjera janë dobësuar gjatë muajve të fundit, por në asnjë rast nuk ka pasur një deklaratë formale nga banka qendrore. Paundi anglez ka humbur 22% kundrejt dollarit, ndërkohë që korona suedeze ka humbur 29%. Irlanda është ankuar formalisht se Britania po konkurron në mënyrë të pandershme me monedhë të zhvlerësuar. Analistët vlerësojnë se shumë shpejt Koreja e Jugut, Tajvani dhe Singapori mund t‘i shtohen listës së konkurrentëve të pandershëm. Edhe disa vende të tjera besohet se kanë hartuar plane zhvlerësimi. Por ekspertët shqetësohen për faktin se kjo metodë mund të kthehet në një luftë të vërtetë për tregje, gjë që do ta zhysë botën në të njëjtën spirale që nuk e la të dalë nga kriza në vitet ‘30.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›