Dy zyrtarët e lirojnë nga burgu, grabit argjendarinë
Ishte liruar nga Burgu i Lezhës prej dy zyrtarëve, që mendonin se ai do kthehej prapë, por i dënuari i ishte rikthyer profesionit të vjetër të grabitjes me armës. Xhevahir Kasemi ka kryer një grabitje të tillë vetëm pesë ditë më parë në Laç, ndërkohë që dje ishte nisur për një tjetër grabitje në Tiranë. Falë informacionit të marrë në kohë, policia e Tiranës, në bashkëpunim me kolegët e Laçit, e kanë kapur atë para se të kryente grabitjen e një argjendarie, ku i kanë gjetur një maskë dhe armë. Operacioni për kapjen e tij është realizuar pranë “Zogut të Zi”, kur Kasemi kishte udhëtuar nga Laçi drejt Tiranës. Para 4 ditësh, ai kishte grabitur me armë një argjendari në Laç, i cili ka qenë i dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të grabitjes me armë. Sipas policisë së Tiranës, Kasemi kishte planifikuar të kryente dje një tjetër grabitje në Tiranë, ku dhe është bërë ndalimi i tij. Në momentin e arrestimit i janë gjetur me vete një maskë dhe një pistoletë, me të cilën do të kryente grabitjen. Historia e Kasemit u bë e njohur, pasi u lirua nga burgu i Shënkollit në Lezhë. Për këtë, dy zyrtarë të burgut janë marrë nën hetim, pasi i dhanë leje. Burimet nga Burgu i Lezhës shpjeguan në atë kohë, ky person është dënuar me dhjetë vjet burg për grabitje me armë. Aktualisht, ai ka bërë pothuajse nëntë vjet burg dhe i kanë mbetur për të mbaruar dënimin edhe 14 muaj. Në fillim të qershorit, ai ka përfituar një leje pesëditore, pasi do të shkonte të qëndronte pranë familjes për një sebep familjar. Leja e tij zgjaste katër ditë, por ai nuk është rikthyer në burg, ashtu siç parashikohet në marrëveshje, para se ai të lirohet me leje. Gjatë verifikimit ka rezultuar se personat që i kanë plotësuar dokumentacionin për leje dhe kanë dhënë mendimin për të janë pikërisht edukatori Pjetër Leka dhe shefi i edukimit, Sejfulla Shehu, me detyra në Burgun e Shënkollit. Por, këta dy persona dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën për rastin e Spartak Alisë, rast i ndodhur në fund të muajit prill, të cilit iu dha leje për të dalë nga burgu dhe më pas nuk u kthye më, derisa u kap nga policia. Sipas të dhënave nga prokuroria, dosja e tyre është hetuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje dhe i ka nxjerrë me shkelje procedurash gjatë ushtrimit të detyrës.
#