Kapet grupi prej pesë vetash, noterizonin letra false për viza
Pesë persona kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohen se merreshin me falsifikimin dhe noterizimin e dokumenteve për studentë të ndryshëm që paraqiteshin në ambasada, me qëllim për të studiuar jashtë vendit. Seksioni kundër korrupsionit në Tiranë ka realizuar operacionin e koduar “Porta e Mbyllur”, duke arrestuar tre persona dhe dërguar për ndjekje penale një noter dhe një përkthyes. Sipas policisë, gjatë operacionit u arrestuan Nazmi Ramazan Meta, 38 vjeç, tregtar, Naim Jonuz Gjoshi, 38 vjeç, i shoqëruar disa herë nga policia për ushtrim të aktivitetit kriminal në fushën e falsifikimit të dokumenteve pranë ambasadave dhe Mariglen Pavli Nikaj, 51 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh. Gjithashtu filloi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, shtetasit Pandi Prifti, 64 vjeç, me profesion noter dhe Shaniko Dalip Hadaj, 26 vjeçe, me profesion përkthyese e gjuhës italiane. Procedimi i tyre u bë, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë siguronin dokumente të falsifikuara, si leje drejtimi, diploma, dëftesa, siguracione, kryesisht për persona që kërkonin të studionin jashtë kufijve të Shqipërisë. Grupi i përkthente, noterizonte në kundërshtim me aktet normative që normojnë punën e tyre, pranë zyrave të noterive në Tiranë, pa qenë prezent personi, si dhe duke noterizuar e legalizuar dokumente të ndryshme, kundrejt shumës së parave që varion nga 300 euro deri në 1 mijë euro për një dokument. Këta persona, aktivitetin e tyre kriminal e kryenin pranë Bllokut të Ambasadave dhe në zonën përreth Ambasadës Italiane në Tiranë. Në cilësinë e provave materiale u gjetën dhe u sekuestruan dëftesa të paplotësuara, të noterizuara, leje drejtimi për persona të ndryshëm, formularë, siguracione, dokumente të ndryshme dhe një sërë lista notash. Materialet hetimore së bashku me procedimin penal do i dërgohen Njësisë Task-Force në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim në bashkëpunim”. Vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave të tjerë të implikuar.
#