Vrasja e bariut, policia udhëton në vendlindjen e tij
Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vrasja e bariut 45-vjeçar, policia e Vlorës ende nuk ka një emër konkret autori të ngjarjes së mëngjesit të së martës. Disa inspektorë të krimeve të Drejtorisë së Policisë së Vlorës kanë shkuar dje në fshatin e lindjes së viktimës Hasko Sina. Sipas burimeve të policisë në fshatin e tij të lindjes, në Gjorm të Vlorës, dy inspektorët e krimeve kanë marrë në pyetje disa prej banorëve të fshatit për të mësuar rreth të kaluarës së Sinës, i cili u gjet i vdekur në afërsi të fshatit Jonufër. Nga banorët e fshatit, është mësuar se personi ka pasur hasmëri të mbartura që prej vitit 1997, pasi çobani i vrarë ka qenë problematik. Mësohet se banorët u kanë thënë inspektorëve të krimeve se në vitin ’97 Hasko Sina ka vjedhur dhe grabitur shumë nga shtëpitë e fshatit, si dhe ka plagosur banorë të zonës për t’i grabitur. Po ashtu ata janë shprehur se një nga vëllezërit e Haskos ka vrarë një taksist, dhe për këtë vepër është dënuar me katër vjet burg.
#