E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthesë e re në hetimet për Bleonën e zhdukur

Prokurorët e Krimeve të Rënda kthehen në Kukës. Pyeten sërish pesë bareshat dhe familjarët

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga zhdukja misterioze e 6-vjeçares Bleona Mata nga Zapodi, pikërisht atëherë kur mbi këtë çështje u duk se ra heshtja, ekspertët e Krimeve të Rënda kanë udhëtuar drejt Kukësit. Ata kanë rimarrë në pyetje dëshmitarët e 22 majit, ditës që u zhduk vogëlushja. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka marrë këtë çështje 10 ditë pas ngjarjes dhe ka hetuar për tri javë në pista të ndryshme, por pa pasur ende ndonjë rezultat. Prindërit e vajzës së humbur, si dhe pesë vajzat të cilat kishin marrë në mal Bleonën ditën që humbi, janë marrë në pyetje në Komisariatin e Kukësit. Ekspertët e prokurorisë i janë rikthyer pistës që edhe më herët ekzistonte, sipas të cilës pesë bareshat dhe të afërmit, më saktë familjarët e Bleonës duhet të dinë diçka që ende nuk ia kanë rrëfyer policisë mbi rrëmbimin e mundshëm të Bleonës. Gjatë gjithë natës duke gdhirë e mërkura si dhe gjatë ditës së djeshme, prokurorë të Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje prindërit e Bleonës, Zamirin dhe Bukurien, ndërsa për shumë orë të tjera janë pyetur pesë vajzat që morën të miturën në mal. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit konfirmojnë faktin që halla e Bleonës, Alketa, si dhe 4 shoqet e saj dhe prindërit e vogëlushes janë pyetur në mënyrë të hollësishme, por nuk japin detaje se çfarë kanë thënë të pyeturit. I njëjti burim tha për gazetën “Shqip” se për momentin nuk mund të bëhet publik asnjë detaj, për shkak të ndikimit që mund të kenë në procesin hetimor. Ndryshe nga dhjetë ditë më parë kur personat e familjes dhe bareshat që morën në mal Bleonën u thirrën në Tiranë, kësaj radhe ato janë shoqëruar në Komisariatin e Kukësit, ku edhe pse nuk tregohen dëshmitë e tyre, drejtues të lartë të policisë japin të kuptosh se po ecet në drejtimin e duhur. Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, thotë se në bashkëpunim me prokurorinë e Krimeve të Rënda po vijon puna në mënyrë intensive dhe të dyja palët shkëmbejnë informacione të cilat mund të hedhin dritë mbi zhdukjen e Bleona Matës. Burime të besueshme të policisë që u referohen të dhënave konfidenciale të grupit të prokurorëve, thonë se “është ndezur një dritë jeshile”, çka tregon për afrim drejt pistës reale të zhdukjes së vajzës së vogël.

Ndërkohë, policia e Kukësit, pranon faktin se pista humbjes në mal apo sulmit nga kafshët e egra ka qenë një lodhje pa rezultat, që mund të rezultojë të ketë qenë edhe një rreng për të cilin ende nuk ka përgjegjës. Vetë drejtori i policisë së Kukësit, Ramçaj pohoi se disa detaje me rëndësi lidhur me ngjarjet e asaj dite policia i ka mësuar disa ditë pasi vajza ishte zhdukur. Kështu, siç është publikuar edhe shtyp, shumë ditë pas humbjes së Bleonës familjarët pohuan se vogëlushja u thirr nga vajzat e rritura për të mbledhur manaferra. Me tej ai kujton faktin se policia e kishte marrë njoftimin se vajza kishte humbur rreth orës 21:00, shumë orë pasi kishte ndodhur ngjarja. Përveç kësaj, ndër të tjera edhe dëshmia e gjyshes se kishte parë një djalë të ri pas bareshave është dhënë shumë ditë pas humbjes së 6-vjeçares.

çështja “Bleona”, siç komentohet në komunitet, por edhe në radhët e policisë përbën një rast shumë të veçantë. Gjetja e vajzës, gjallë apo vdekur, do të vinte në vend jo vetëm drejtësinë për familjen, por shumë më tepër. Një efektiv i policisë së Kukësit tha për rastin në fjalë se asnjëherë nuk ishte lodhur gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në polici se sa ato tri javë kërkimesh nëpër bjeshkë duke rrezikuar në terrene të vështira. “Jemi lodhur duke kërkuar shumë ditë dhe net nëpër male, por për Bleonën nuk do të kurseja asgjë, jam gati të jap edhe rrogën e fëmijëve të mi të 6 muajve vetëm e vetëm që Bleona të gjendet”, tha polici me përvojë, i cili në konfidencë na tregoi se sa herë që kthehej nga kërkimi e bija 6-vjeçare e pyeste: “Hë, a e gjete Bleonën?”

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›