E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohet numri i banesave në rrezik shembjeje

Rëndohet gjendja e banorëve të Qafë-Dardhës të Komunës së Polisit në Rrethin e Librazhdit. Rrëshqitja e dherave në shpatet e maleve është përshkallëzuar dhe numri i shtëpive të rrezikuara shkon në 70 banesa. Informacioni u zyrtarizua dje gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Elbasanit. Sipas kreut të prefekturës, Shefqet Deliallisi, nga 35 banesa të rrezikuara nga rrëshqitjet, ka shkuar në 70 numri i familjeve që duhet të lëvizin nga ky fshat. Takimi i djeshëm mes përfaqësuesve të banorëve, kryetarit të komunës dhe atij të këshillit të fshatit mësohet se është mbyllur në "paqe", por banorët kanë kërkuar zhvendosje të shpejtë e jo çadra nga Kryqi i Kuq apo ndihma ushqimore të konservuara. Sipas Deliallisit, 25 shtëpi kërkojnë zhvendosje emergjente nga ky fshat, por tri prej tyre nuk kanë pranuar kurrsesi të largohen prej andej. Deri tani nuk është zhvendosur asnjë prej familjeve të rrezikuara, ndërsa pritet që ato të akomodohen përkohësisht në ish-repartin ushtarak në fshatin Tokëz së Komunës së Dorëzit, rreth 7 kilometra larg qytetit të Librazhdit. Prefekti i Elbasanit tha se është në pritje të çeljes së një fondi qeveritar për emergjencat civile. Rrugët rurale drejt këtij fshati janë të bllokuara nga shembjet e një nate më parë si rezultat i shtimit të reshjeve. 27 familje që nuk mund të banojnë në shtëpitë e dëmtuara janë strehuar tek të afërmit e tyre në fshatrat fqinjë, Gurë-Shpatë e Polis-Vilan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›