Rrëshqitja e dherave, në rrezik dhjetëra banesa
Shirat e rrëmbyeshëm të rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe panik te shumë familje që jetojnë rrëzë kodrës në qytetin e Durrësit, ndërkohë që është bllokuar rruga që lidh zonën e Currilave me pjesën tjetër të qytetit. Dje, gjatë orëve të para të ditës, ka pasur shkarje masive dherash nga kodra e Durrësit në rrugë dhe mbi banesa. Gjatë së gjithë paradites së djeshme e në orët e drekës, aksi rrugor universiteti "Aleksandër Moisiu"-Currila ka qenë i bllokuar dhe vetëm postblloqet e policisë kanë mundur të shmangin incidentet. Rreth 300 metra lineare rrugë janë mbushur me baltë, ndërsa dhjetëra banesa janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të rrëshqitjes së dherave. Mjete të rënda janë angazhuar për të pastruar rrugën e bllokuar dhe ndihmuar familjarët të largojnë dherat prej shtëpive, por ato kanë vazhduar të rrëshqasin në rrugë e mbi shtëpi, duke përhapur frikë te banorët. Kodra e Currilave ka vazhduar të lëshojë dhera si rezultat i reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe prishjes së kurorës së gjelbër. Rreth 500 metra kub dhera janë derdhur mbi rrugë, ndërsa dy shtëpi kanë shpëtuar për mrekulli. Dheu ka vërshuar mbi oborret e tyre, duke u prishur rrethimet. Me gjithë kërkesën për evakuim, banorët janë të frikësuar nga shembja e mundshme e shtëpive, të cilat ende nuk i kanë legalizuar. Zona kodrinore e Durrësit mbetet e pastabilizuar dhe vazhdon që të jetë një precedent me pasoja të rrezikshme. Në vjeshtën e vitit 2004, një pallat katërkatësh u mbulua nga dherat e kodrës dhe disa muaj më pas Bashkia e Durrësit akordoi një fond prej 1 milion lekësh, pas raportit mbi kushtet gjeologjiko-inxhinierike, për largimin e dherave, disiplinimin e ujërave të larta dhe ndërtimin e kanaleve të vogla në zonën rrëshqitëse, në mënyrë që të mos ketë grumbullime ujërash. Njëkohësisht fondi u akordua dhe për ndërtimin e një muri mbajtës ndërmjet murit të kalasë dhe pallatit katërkatësh. Megjithatë rehabilitim-sistemimi i zonës kodrinore mbetet një problem i mprehtë për qytetin bregdetar që del në pah sa herë që bien reshje të vazhdueshme shiu. Moti i keq ka shkaktuar probleme në akse të ndryshme të qytetit që janë zgjuar nën ujë, si dhe në Portin e Durrësit, ku është pezulluar puna.