Spitalet duhet të kalojnë provimin e cilësisë
Reforma në shëndetësi gjatë "pjekjes" së kushteve për t‘u realizuar ka nevojë të parashikojë edhe procesin e akreditimit të institucioneve shëndetësore. Kjo do të thotë që institucionet shëndetësore duhet të japin cilësi në shërbim duke plotësuar ato kushte të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe më pas të matet nga Qendra kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. Dje në një takim ndërsektorial është rikujtuar edhe njëherë sa i rëndësishëm është procesi i akreditimit dhe matjes së cilësisë së institucioneve shëndetësore. Drejtori i Qendrës Isuf Kalo ka sqaruar se bashkë me reformën duhet të eci edhe procesi i matjes së cilësisë. Spitalet duhet të zbatojnë kushtet e vendosura dhe matja e kujdesit spitalor do të bëhet duke marrë parasysh disa indikatorë kryesor. Secili institucion do të testohet, për cilësinë, pastërtinë, shkallën e kualifikimit të mjekut, protokollet e mjekimit. Spitalet me "paraqitjen" më të mirë, trajtohen më mirë, duke hedhur më shumë vëmendje kundrejt tyre, fonde dhe përkujdesje për rritjen e mëtejshme të cilësisë. Qendrat të cilat nuk arrijnë të jenë të konkurueshme për tregun nuk do të arrijnë të kenë financime të mira, më pak pacientë dhe hapa mbrapa. Në kuadrin e reformës spitalore dhe shtrirjes së skemës së sigurimeve në këtë shërbim një element i rëndësishëm është dhe shkalla e plotësimit të treguesve të performancës spitalore, të cilat janë përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSH 3 vjet më parë.
QKCSA-ISH kreu vitin e kaluar një studim pilot të shtrirë në 13 Spitalet Rajonale të vendit në lidhje me procesin e matjes dhe vlerësimit të Indikatorëve të performancës, ku konstatoi një sërë mungesash e vështirësish përsa i përket matjes dhe interpretimit të tyre.
QKCSA-ISH kreu vitin e kaluar një studim pilot të shtrirë në 13 Spitalet Rajonale të vendit në lidhje me procesin e matjes dhe vlerësimit të Indikatorëve të performancës, ku konstatoi një sërë mungesash e vështirësish përsa i përket matjes dhe interpretimit të tyre.