E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytet fusha e Maliqit, dëmtohen të mbjellat e fermerëve

Rëndohet më tej situata nga përmbytjet. Edhe pse është bërë kullimi i pjesës më të madhe të sipërfaqeve bujqësore të ndodhura nën ujë për shkak të daljes së lumit Devoll nga shtrati, reshjet e fundit kanë kthyer sërish përmbytjet në toka. Fusha e Maliqit vazhdon të ketë të paktën 60 hektarë sipërfaqe tokësore të mbuluara nga uji, ndërkohë që në fushën e Devollit janë dëmtuar plotësisht të paktën 60 hektarë të tjerë. Të mbjella kryesisht me grurë, sipërfaqet janë shkatërruar plotësisht bashkë me prodhimin e fermerëve, të cilët prisnin që kullimi i tokave të përfundonte shpejt që të mos rrezikonte edhe kalbjen e sipërfaqeve bujqësore. Por reshjet e vazhdueshme të shiut me intensitet të lartë gjatë 24 orëve të fundit i janë shtuar problemeve të mëparshme në tokat e prekura nga lumi Devoll. Sipas të dhënave nga Bordi i Kullimit, ndërhyrjet e ditëve të fundit në bashkëpunim edhe me Shtabin e Emergjencave Civile, bënë të mundur kullimin e 80% të sipërfaqeve, por situata sërish paraqitet e rënduar, pasi duket se moti nuk po ndihmon aspak për të realizuar edhe një kullim të plotë. Kjo edhe pse i është bërë thellimi kanaleve anësore. Deri më tani, në zonën juglindore të vendit, rezultojnë të dëmtuara të paktën 150 hektarë për shkak të prurjeve të mëdha nga reshjet dhe rritja e nivelit të ujit mbi sipërfaqet tokësore me të mbjella, të cilat kanë arritur në 50 centimetra lartësi. Fermerët e zonës së Sovjanit kanë vënë alarmin se krahas dëmit të madh ekonomik të shkaktuar nga përmbytjet e fundit, reshjet kanë bërë që toka të nisë kalbëzimin, duke dalë jashtë përdorimit. Sipas fermerëve, masat për thellimin e kanaleve dhe kryerjen e punimeve në ura duhet të ishin bërë që në verë. Sipërfaqet tokësore në fushën e Maliqit janë lehtësisht të prekshme në situata reshjesh edhe për faktin se ndodhen në zonë torfike. Siç raportohet nga Bordi i Kullimit, dhe drejtori i saj, Gentian Pere, ndërhyrjet më të fundit u përqendruan në kolektorin e Sovjanit dhe në hapjen e portave në Zëmblak, por kullimi i bërë në një masë të madhe të sipërfaqeve, me reshjet e fundit ka rikthyer të njëjtat probleme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›