E Diel, 1 Nëntor 2026

Njësite guerrile edviniste kundër rrugëve kombëtare, por revolta zgjati vetëm 4-10 minuta

Strategjia e re e PS është bllokimi i rrugëve dhe paralizimi i jetës publike, por irritohen qytetarët. Policia e Shtetit paralajmëron masa të ashpra ligjore, duke përfshirë ndalimin e të gjithë personave pa imunitet, që përfshihen në vandalizma të tilla

Partia Socialiste ka nisur një strategji të re të protestës, si një formë të përshkallëzimit të saj. Deputetë socialistë dhe militantë të kësaj force politike, më e madhja e opozitës shqiptare, kanë bllokuar për disa minuta akset kryesore rrugore në mbarë vendin, duke shkaktuar tension dhe konfrontime me forcat e policisë. Protestat e drejtuara nga deputetë të Partisë Socialiste kanë patur qëllim të vetëm paralizimin e qarkullimit në të gjithë vendin, çka e pohojnë edhe vetë drejtuesit socialistë, duke sqaruar se në këtë mënyrë synojnë të sensibilizojnë qytetarët me grevën e urisë. Por sipas njoftimeve zyrtare të policisë, suksesi i radikalëve socialistë ka zgjatur vetëm 4-10 minuta, edhe pse është një precedent i rrezikshëm i radikalizimit të situatës.
“Gjatë ditës së sotme, një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht, për rreth 4-10 minuta, rrugët në akset kryesore të qyteteve, përkatësisht: Në Shkodër, në Krye Bushat në aksin rrugor Shkodër-Lezhë; Në Tiranë, në Rrugën e Elbasanit tek Ura e Farkës; Në Gjirokastër, në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër; në Durrës, në autostradën Durrës-Tiranë, në Shkozet; në Vlorë, në hyrje të qytetit të Vlorës; në Fier, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier-Lushnjë; në Lezhë, tek kryqëzimi i Patokut, në aksin rrugor Lezhë-Laç; në Berat, tek kthesa e Poshnjës, në aksin rrugor Berat-Lushnjë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën zyrtare.
Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në çdo rast ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme. Në kuadër të këtyre masave dhe në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë së Shtetit i bëjnë thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet. Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme në të gjitha qarqet e sipërcituara dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, thuhet në njoftim. Por kjo mënyrë për sensibilizimin e qytetarëve me grevën socialiste, ka sjellë irritimin e mijëra qytetarëve, të bllokuar për minuta të tëra befasisht në mes të rrugëve. Strategjia e re e socialistëve, të pakten në ditën e parë të aplikimit të saj, ka dëmtuar vetëm qytetarët e thjeshtë, të majtë e të djathtë, të të gjitha moshave, që u penguan në kryerjen e punëve të tyre të përditshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›