E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfytyrësia politike

Edmond Arizaj 

Prej mëse dy vjetësh vazhdon pritja e premtimit të madh të Edi Ramës për një platformë qeverisëse, e cila do t'i zhbëjë me magji, të gjitha të bërat e të pabërat e Berishës, madje edhe më tej. Ky premtim është shoqëruar përherë me shprehjen ndihmëse dhe dikur çudibërëse, se do na ndihmojnë edhe ekspertët e huaj. Në 18 vjet që Shqipëria ka dalë nga izolimi, përsa u përket të huajve, një gjë është kuptuar mëse qartë; ata nuk marrin vesh asgjë nga problemet thellësisht shqiptare. Dhe po flasim për ata të huaj që kanë qenë rezidentë këtu. Të imagjinosh pastaj se çfarë ndihme mund të japin ekspertët që kërkoi Rama, p.sh., në Itali, ku ishte herën e fundit për të informuar mbi turin e dialogjeve. Dhe jo pse nuk duan, por sepse nuk munden. Pasi problemet shqiptare që duan zgjidhje emergjente nga një qeveri, janë katërcipërisht të ndryshme me ato të një vendi të BE-së. Megjithatë Rama vazhdon me këmbëngulje të prezantojë togfjalëshin çudibërës të ekspertëve të huaj, pavarësisht se nuk ka ende një draft platformë qeverisëse, kur jemi më pak se një vit larg zgjedhjeve parlamentare.
E vetmja "platformë" reale që qëmtohet në këta vite të drejtimit të PS nga Rama, ka qenë dyfytyrësia politike. Nëse ndokush kujtohet, në pas zgjedhjet e 2005, Rama nuk la gjë pa thënë për ardhjen e Berishës në pushtet dhe për ata që e lejuan këtë. Pasi i lanë në dorë postin e kryetarit të PS, Rama po ashtu foli për një të majtë të madhe e të bashkuar. Por ç'kemi sot? Nga akuzat gjigande kundër Berishës në një bashkëpunim mbi tavolinë me të, seria e radhës e së cilës ishte ndryshimi i rregullores së Kuvendit. Në disa çaste pushimi të marrëveshjeve të njëpasnjëshme, ka disa akuza të përgjithshme kundër qeverisjes, por pa asnjë nismë konkrete. Ka shprehje qesëndisëse ndaj Berishës, por që njeriut, i cili po del i larë nga Gërdeci, as nuk i bëjnë përshtypje. Pra, të duket se janë vetëm grindje të dashuruarish (për më tepër që si rrallë herë Berisha as e merr mundimin të reagojë, ose reagon shumë rrallë). Nga ana tjetër, premtimi për një të majtë të fortë dhe të bashkuar, duket se vlente vetëm për zgjedhjet lokale, kur vërtet Ramës i duhej mbështetja. Pas kësaj kanë ardhur me radhë acarimet me aleatët dhe lëshimet ndaj Berishës. Dhe në fund arrihet në konkluzionin se është LSI që i bën opozitë Ramës, kur në të vërtetë ka qenë krejt e kundërta. Por edhe nëse e marrim të mirëqenë se LSI i bën opozitë Ramës, në të vërtetë kësaj partie nuk i ka mbetur ndonjë rrugë tjetër. Në vend që ajo të kundërshtojë vetëm hegjemoninë berishiane, i duhet tashmë të përballet edhe me heterogjenët e PS-së, që i janë bashkuar haptas Berishës dhe jo më me marrëveshje të fshehta, por të dukshme dhe të kuptueshme. Kështu, LSI ka mbetur forca e vetme opozitare në këtë vend, madje i duhet që përveç anëtarësisë dhe simpatizantëve të saj, të dalë në mbrojtje edhe të anëtarësisë dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, apo të shtresave që ajo përfaqëson.
Kjo lloj dyfytyrësie e kryetarit të PS, që ndryshe flet e ndryshe mendon, i ka rrënjët të thella. Ajo daton që me kohën e "telenovelave" siç i quan ai përplasjet e dikurshme brenda PS-së. Asnjëherë Rama nuk ka qenë zë i vetëm në këto përplasje. Asnjëherë nuk ka mbajtur një qëndrim të tijin të palëkundur dhe të bindshëm. Por përherë ai ka qenë në krahun e më të fortit. Ka ndenjur i tërhequr në zyrën e tij të bashkisë, duke bërë aleanca të dyfishta dhe vetëm pasi në PS janë qartësuar forcat, ai ka dalë në krah të fitimtarit. Eshtë po i njëjti njeri me shprehjen e Robert Çamçakëzit, kur Meta ishte në fuqi, dhe po i njëjti njeri me thirrjen frenetike "o doooooktoooooor, ne do fitoooooojmëëë" në krah të Nanos. Dhe është po i njëjti njeri, që pak vjet më pas, kur s'ka në krah as Metën dhe as Nanon, deklarohet për një opozitë ndryshe. Madje, kjo opozitë është kaq ndryshe sa kthehet në pozitë me "doktor rrumpallën". Dhe përsëri Rama del në natyrën e vet, të bëhet me më të fortin, i cili aktualisht është Berisha. Çdokush ka të drejtë të ndryshojë. Madje, edhe të reflektojë për "refleksionet" e dikurshme. Ndërsa Rama nuk e bën këtë. As nuk sqaron të paktën qëndrimet e dikurshme të tij, kundrejt socialistëve, kundrejt veteranëve, kundrejt drejtuesve të PS-së. Të sqarojë gjuhën e vrazhdë të dikurshme ndaj Berishës. Le t'i justifikojë këto me qëndrimet e një të riu anarkist e radikal, por të paktën të mos lërë shkak për dyfytyrësinë politike. Këtu, as ekspertët e marrë me qira për platformën qeverisëse nuk ndihmojnë dot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›